Itali – Prej datës 15 deri në datën 17 mars të këtij viti, në qytetin italian të Orvieto zhvillua festivali i fotografisë Orveto Fotografia 2024, këtë vit në edicionin e tij jubilar të 20-të. Siç ju kemi komunikuar edhe më parë në ftesën tonë publike, ky festival zhvillohet nga Fiof Italia, me të cilën prej tashmë tre vitesh kemi një marrëveshje bashkëpunimi dhe një ndërveprim konkret me festivalin tonë Fokus Award.
Kemi pritur disa ekspozita të fotografisë autoriale italiane në Shqipëri ku mund të veçojmë ekspozitën e fotoreporterit të famshëm italian Francesco Cito ne vitin 2022 në Galerinë Kalo në Tiranë, ekspozitat “Master of Italian Photography” dhe “Fiof Italian Ambassadors” në Teatrin Bylis dhe në Apolloni në vitet 2021-2023 pa harruar edhe pjesmarrjen e gjërë të fotografëve të FIOF në konkurset dhe ekspozitat tona tematike në Galerinë “Vilson Kilica” në Fier.
Në kuadër të bashkëpunimit mes dy organizatave, këtë vit Bordi Kuratorial i Fokus Award, me ftesë të FIOF Italia organizoi tre ekspozita personale në Orvieto në kuadër të Festivalit si edhe mori përsipër sponsorizimin e pjesmarrjes së shumë fotografëve të tjerë në konkurset fotografike FIIPA Awards edhe këto në kuadër të festivalit Orvieto Fotografia.
Artistët shqiptarë Armando Babani, Saimir Ahmeti, dhe Osman Demiri ekspozuar pra projektet e tyre personale, ekspozita të cilat do të jenë hapur për publikun italian deri në datën 20 prill 2024. Këto ekspozita ishin një surprizë e bukur dhe u pritën shumë mirë nga publiku i qytetit antik të Orvietos si edhe natyrisht artistëve, lektorëve, fotografëve dhe personalitetet e pranishëm në festival.
Në Muzeo Faina, një ndër muzetë më të rëndësishëm të popullsive etruske në botë, u çel ekspozita “Efektet e Konfliktit” të fotografit të njohur shqiptar Armando Babani. Kuruar nga Elton Koritari, ekspozita ka si koncept t’i ofrojë publikut një vështrim në brendësinë e paqendrueshmërisë së botës së sotme – më saktësisht, kjo ekspozitë jep mundësinë për të shqyrtuar pasojat afatgjata të konflikteve në shoqërinë tonë, me një theks të veçantë në transformimet dhe plagët që shfaqen në kohë. Ekspozita gjithashtu eksploron mënyrën sesi puna e fotografit dokumenton gjurmët e vazhdueshme të konflikteve në jetën e përditshme, në marrëdhëniet dhe dinamikat shoqërore. Për të kuptuar se si imazhet mund të bëhen mjete të fuqishme për të denoncuar, për të tërhequr vëmendjen drejt situatave të padrejta dhe vuajtjeve të çdo individi. Për të treguar rënjët, gjenezat e konflikteve dhe instabilitetin e kohës tonë, duke u përpjekur njëkohësisht për të hulumtuar shkaqet themelore dhe ndikimet e tyre afatgjata në shoqëri. Dhe akoma më shumë, duke u përqëndruar në reziliencat humane dhe historitë e shpresës dhe guximit që dalin edhe në kontekste të vështira.
Në ambjentet e një tjetër muzeu të rëndësishëm, Muzeut Arkeologjik të Orvietos, u zhvilluan ekspozitat e dy artistëve të tjerë shqiptarë, Saimir Ahmeti nga qyteti i Fierit dhe Osman Demiri nga Gostivari, Maqedoni e Veriut. Saimir Ahmeti solli ekspozitën “Drita Përmes Saj“, kuruar nga Burim Myftiu. dhe “Nirvana” quhet ekspozita e Osman Demiri, kuruar nga Arben Alliaj.
Orvieto Fotografia është ndër festivalet e fotografisë më të rëndësishëm në Itali, me një pjesmarrje të gjërë të artistëve dhe profesionistëve më të shquar të sektorit. Këtë edicion, ndër lektorët e shquar të masterklasave, punetorive, debateve dhe prezantimeve vlen të përmendet prezenca e ish presidentit të Magnum, fotografit të shquar britanik Martin Parr. Në kuadër të konkurseve tematike të festivalit në 15 kategori të ndryshme, një tjetër prezencë e rëndësishme që vjen si kuadër i bashkëpunimit FIOF – Fokus Award ishte edhe prezenca në juri e profesorit të fotografisë në UART, artistit Albes Fusha, kjo bashkë me prezencën e shumë fotografëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Verit, Mali i Zi, etj. Fotografet shqiptarë patën një prezantim mjaft dinjitoz madje duke dalë fitues ne kategori te ndryshme dhe sjellë në treva plot 12 çmime.
Janë vleresuar me cmimet “Bronze” dhe “Silver” në disa kategori të ndryshme fotografët shqiptarë Anjeza Mema, Etleva Hamitaj, Majlinda Dedaj, Arton Humolli, Merlin Kaziaj. Kurse me cmimet “Gold Profesional” u vleresuan respektivisht për kategorine tematike “No More”, fotografi Vlasov Sulaj, për kategorinë “Natyre“, fotografi Jetmir Troshani dhe për kategorinë “Conceptual” fotografi Arton Humolli. Fitues i cmimit FIIPA 2024 për punën e tij të gjatë dokumentariste u shpall fotografi italian Antonio Gibota. Në kuadër të vazhdimit të shkëmbimit të eksperiencës dhe ndërkombëtarizimit të fotografisë dhe artit shqiptar, mision ky i Fokus Award prej fillimit të tij, një përzgjedhje e mirë kuratoriale e punëve të Orvieto Fotografia, sipas traditës tonë do të jetë e ekspozuar gjatë Fokus Award 2024.
Natyrisht prezenca me sukses e Shqipërisë dhe trevave në këtë eveniment është një tjetër tregues i përkushtimit ndër vite të Fokus Award për të komunikuar vlerat e padiskutueshme të fotografisë artistike, për ti shfaqur ato para publikut, për të krijuar një komunitet të fortë artistik rreth festivalit dhe për të vazhduar këtë mision në çdo edicion më mirë sesa në pararendësin. Kjo pra është tashmë sfida jonë, së bashku, të vazhdojmue traditën por duke u rritur, duke u zhvilluar dhe duke u përmirësuar. Shihemi kështu në edicionin e 15 të Festivalit tonë të Fotografisë, #FokusAward2024 i cili do të mbahet këtë vit në vjeshtë në qytetin e bukur të Fierit, si përherë. Në ditët në vijim do t’ju komunikojmë temën e këtij edicioni jubilar, edicion i cili do të jetë plot risi dhe si përhere pra, do të jetë një festë e paharruar e fotografisë dhe artit shqiptar.