Fejton nga Thoma Goga
– Një ditë, kur më ra rruga andej nga stanet e Çeços, ktheva. Pranvera kishte zbritur e ishte ulur këmbëkryq. Të kënaqte aroma e luleve, blegërimat e bagëtive, të lehurat e zagarëve… Stan hesapi.
I gjeta kafsharët mbledhur si në kuvend fshatçe. Ishte ora e një biçim pushimi. Të gjithë ishin ulur në hijen e një kumbulle, që asnjë s’e di çfarë rrace është. I hanë kafsharët pa pjekur mirë. Çeçua qëndronte përballë tyre. Atë ditë kishte veshur dhe një palë qillota ushtarake, firmato fare. Nga ato që i mbledh unë tek gabi në kasaba të madhe. Dukej tamam si komandant. M’u kujtuan ato kohë kur mblidhej në kooperativë brigada apo sektori e bënte një si biçim informacioni politik. Rrotull tyre gomerët dremisnin, kurse zagarët ishin në krye të detyrës…
Atë ditë debati ishte nxehur keq. Kafsharët që ka punësuar byrazeri im, kishin dëgjuar se Shqipëria do të hyjë në BE. I përshëndeta të gjithë dhe rashë dakord që unë nuk do të ndërhyja. Kisha dëshirë vetëm të dëgjoja.
Gallatë pa hesap.
– O pika neve, po ku paskemi qënë deri tashti, mo?- pyeti i biri Kalemit që vetëm 3 klasë shkollë ka bërë.
– Kemi qënë si të harruar,- shpjegoi Çeçua. –Tranzicioni, tranzicioni.
– Në hartë jemi brenda Europës, po me varfërinë jemi afër gropës, – hodhi një romuz nipi i Pinxho Kapellës.
– Kafsho gjuhën, malukat. Ti kauri i derrit je i ardhur në këtë fshat.
– E di ti shef Çeço pse ishte kaq i gjatë ky tranzicion?- pyeti një djalosh që i shkëlqeni flokët sikur t’i kishte bërë me xhel.- Ta thom unë. Se vijnë e ikin në pushtet politikanët dhe mendojnë vetëm për vete. E vodhën Shqipërinë e nga ana tjetër thonë se «jemi të varfër»…
Çeçua tundi kokën dhe u kthye nga unë.
– Nuk e njeh këtë sojsëz?! Është akoma me njollë në biografi. Hë, kulaku i derrit! Dhe dëgjo, mos i bëj më flokët me gjalp dhie, se do zësh morra…Edepsëz !
– Po mirë, o shef Çeço, na thuaj çfarë kushte ka që të hysh në këtë biçim Europe? – pyeti prapë nipi i Pinxho Kapellës.
– Atëherë ta zëmë se jemi si në një stan po me rregulla të forta,- nisi ligjëratën Çeçua. – Do kemi spitale dhe shkolla cilësore, investime të mëdha, rrugë me standarte botërore…
– Që t’i vënë trarin këta “ustallarët” tanë, ë…, – u dëgjua një zë nga mesi i kafsharëve.
– Po duroni, o të uruar, se nuk vjen e mira menjëherë. Ata do na sjellin mallra cilësore. Do na vijnë lopë me prodhimtari të lartë…
– O, si puna e atyre kurvave…, – e ndërpreu njëri. – Ato nuk lodhen ditë e natë. Janë si biçim banke me para të madhe…
– A mor i shkretë, në një vrimë të rri mendja…E që ta ngas llafin, -vazhdoi Çeçua, – bashkë me lopët vijnë dhe teknologji të reja.
Fjala vjen, keni dëgjuar ju për metodat e reja të riprodhimit ? Është ajo me peshqir dhe ujë të ngrohtë për lopët dhe demat…
– Oho, prandaj e fërkonte hanko Xhixhija plakun nga hallatet. Plagë e bëri, mavrija… Do provonte teknologjinë, – ia priti një tjetër andej nga fundi.
Të gjithë qeshën. Domosdo, qesha dhe unë.
– Edhe ty tek ajo vrimë të rri mendja, a derëzi,- ia ktheu Çeçua. – Po juve, siç duket, nuk doni të hyjmë në Europë. Ja, një takëm si ju na pengojnë të ecim përpara. Europa plakë nuk është më ajo ‘’rospia’’ e parë. Tashti është zgjeruar dhe «ha pyka». Ka ndryshuar politika.
– Unë them t’i shkruajmë qeverisë që stanin tonë të mos e fusi atje ku thoni ju, në BE- BE- BA, – u hodh ai që i kishte flokët me gjalp dhie.
– Të thashë një herë, o mavri,- u nxeh Çeçua.- Shko laj kokën se do i ngjitësh morrat Europës. Nuk na pjedh njeri neve. Dhe tashti pushimi mbaroi. Të gjithë në punë!
Kështu mbaroi “informacioni politik”. U çuan dhe gomerët, kurse zagarët nuk bënin pushim. Nën hije të asaj kumbulle pa emër mbeta unë dhe Çeçua. Duke kthyer nga një gotë raki, folëm për ‘’stanin’’ tonë. As vetë Çeçua nuk e dinte se si do i vinte halli stanit të tij, brenda «stanit » të madh BE.