Importet e mallrave të akcizës vijuan rritjen me ritme të larta në 3-mujorin e parë të vitit, përveç kafesë, duke ndjekur trendin rritës të importeve si për shumicën e artikujve të tjerë të konsumit.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës janar-mars 2024, importi i karburanteve u rrit me 7.1%, niveli më i lartë që nga e njëjta periudhë e vitit 2021. Në tre muajt e parë u importuan 137,541 tonë karburante nga 128,319 tonë vitin e kaluar.
Importet më të larta lidhen me zhvillimet pozitive në sektorin e transportit, prej fluksit më të lartë të pasagjerëve si pasojë e ecurisë së turizmit, pohojnë burimet nga tregu.
Numri i turistëve shënoi rritje me rreth 43% në 3-mujorin e parë, duke nxitur nevojën për qarkullim më të lartë të mjeteve që përdorin karburantin.
Rritje ka shënuar edhe importi i cigareve me rreth 2.3%. Në 3-mujorin e parë u importuan 685 tonë cigare nga 670 tonë në janar-mars 2023. Sasitë e zhdoganimeve të cigareve u përmirësuan në muajin mars, pasi në janar dhe shkurt ato ishin në nivele më të ulëta se në vitin 2023.
Importet e cigareve, ndryshe nga artikujt e tjerë të akcizës, kanë luhatje më të madhe në sasitë e importeve me ulje ngritje që shpesh nuk janë reflektim i konsumit. Me miratimin e ligjit kundër duhanit vite më parë pati një rënie të dukshme në importin e cigareve.
Me tkurrjen e popullsisë së re në moshë si rrjedhojë e emigrimit dhe rënies së lindjeve pas viteve 1990 konsumi i cigares ka ardhur në rënie.
Të dhënat tregojnë se importet e birrës u rriten me tej në tremujorin e parë me rreth 19%. Gjithsej u importuan 9638 tonë birrë nga 8105 tonë në janar -mars 2023. Vitet e fundit importet e birrës janë rritur me shpejtësi duke zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut.
Kjo ecuri ka dëmtuar pozitat financiare të linjave vendase të prodhimit të birrës. Pesha e importeve në konsumin e birrës për 2023 arriti në 60% nga 44% që ishte rreth 1 dekadë më parë, duke humbur rreth 16% të tregut.
Rritja e importeve të birrës u nxit edhe nga heqja e masës fiskale mbrojtëse të qeverisë për fabrikat e vogla vitin e kaluar. Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 HL, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë.
Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 HL, si vendas dhe të huaj.
Ulje kanë shënuar vetëm importet e kafesë. Në janar-mars 2024 janë importuar 1555 tonë kafe nga 1835 tonë në të njëjtën periudhe të vitit 2023.
Të dhënat mujore tregojnë se, në janar dhe mars, importet e kafesë shënuan ulje, teksa në shkurt ishin më të larta se më 2023. Importet e kafesë dhe cigareve kanë luhatje të mëdha mujore edhe në varësi të planeve të furnitorëve nisur nga konjukturat e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në përgjithësi, turizmi është duke nxitur kanalet e importit, pasi në tre muajt e parë të vitit 2023 sipas të dhënave të INSTAT importet e ushqimeve në sasi kanë pësuar rritje me 22%./ Monitor