Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ishte ftuar në Berlin në Hertie School of Governance për të folur për sfidat e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE.
Dy burra dhe një grua në mes janë ulur në një skenë gjatë një diskutimi paneli. Burrat janë të veshur me kostum dhe gruaja në mes është gjithashtu e veshur zyrtarisht. Në sfond është një ekran me titullin e aktivitetit dhe emrat e folësve. Diskutimi zhvillohet në Hertie School dhe fokusohet në sfidat dhe rrugët e reformës në kontekstin e zgjerimit të BE-së.
Igli Hasani, Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë (majtas), Besa Shahini, Hendrik Enderlein Fellow dhe Johannes Lindner, Bashkëdrejtor i Qendrës Jacques Delors. 28.05.2024, BerlinFotografi: Dimitra Kyranoudi/DW
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Igli Hasani paralajmëroi në Berlin për ngecjen e negociatave me Shqipërinë. Gjatë një diskutimi në Hertie School në Berlin, Hasani tha: “Për Shqipërinë nuk ka patur asnjë vendim pozitiv në vitin 2023. Procesi u shty pavarësisht vlerësimeve pozitive, duke treguar se imperativi gjeopolitik mund të mos jetë aq i qëndrueshëm, sa menduam dhe shpresuam.” Ai paralajmëroi se nëse procesi ngec, atëherë rajoni mund të bëjë hapa prapa. “Nëse nuk vazhdojmë të punojmë, do të humbasim një vit dhe humbja e një viti në jetën e një shoqërie mund të ketë shumë ndikim për të ardhmen e saj”, tha Hasani.
Sfida kryesore: Vetoja greke
I pyetur nga moderatori në lidhje me veton greke kundër Shqipërisë për çeljen e kapitullit të parë të negociatave, ai kujtoi se kjo nuk është në frymën e krijimit të Bashkimi Evropian. “Gjithmonë kam menduar se BE u krijua për të lënë pas të gjitha çështjet historike, që kishin mes tyre Franca dhe Gjermania”, tha Hasani dhe shtoi: “Por tani ka një tendencë të re për të përdorur çështje dypalëshe dhe historike për të bllokuar rrugën e vendeve kandidate. Ne shqiptarët po përballemi me këtë situatë prej një viti. Për një individ, një kandidat për kryetar bashkie që është kapur duke blerë votadhe që tani është në burg”, tha Hasani,
Hasani vuri në dukje edhe njëherë se çështja Beleri “po trajtohet nga një sistem gjyqësor që është krijuar me vullnetin e lirë të popullit shqiptar, me ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian” dhe shtoi se “nuk ka mundësi ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare apo qeveri të tjera”, për shkak pavarësisë së këtij institucioni.
Marrëdhëniet me Greqinë të “shkëlqyera”
Ngecja e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE ka të bëjë me Fredi Belerin, i cili është dënuar në Shqipëri për vjedhje votash. Megjithëse doli fitues i zgjedhjeve lokale në bashkësinë e Himarës, ai nuk mundi ta ushtronte detyrën e tij. Pala greke këtë rast e quan shkelje të të drejtave civile, dhe kryeministri aktual grek Kyriakos Mitzotakis e ka vënë Belerin kandidat për Parlamentin Evropian. Gjermania në të kundërt e ka bërë të qartë se çështja Beleri është dypalëshe, dhe nuk ka vend në procesin e zgjerimit.
I pyetur nga DW për marrëdhëniet greko-shqiptare megjithatë Hasani i quajti ato ‘të shkëlqyera’: “Një rast i veçantë nuk mund të bllokojë marrëdhëniet midis dy vendeve shumë të rëndësishme, dy shoqërive shumë të rëndësishme, dy popujve shumë të rëndësishëm”, argumentoi Hasani.
*Në panelin e Hertie School, Igli Hasani ishte i shoqëruar nga Besa Shahini, analiste politike dhe ish-ministre e Arsimit në Shqipëri, si dhe Johannes Lindner, bashkëdrejtues i Qendrës Jacques Delors, i cili e moderoi diskutimin.