Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETPresidenti Meta: Mposhtni indiferencën, dhuroni gjak, shpëtoni jetë

Presidenti Meta: Mposhtni indiferencën, dhuroni gjak, shpëtoni jetë

Presidenti Meta në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut: Inkurajoj të gjithë qytetarët, në veçanti të rinjtë dhe të rejat, të mposhtin indiferencën dhe t’i bashkohen kësaj kauze fisnike humane duke u bërë dhurues të rregullt për të shpëtuar jetë dhe ndihmuar këdo që ka nevojë kritike për gjak.

14 qershor 2022

Në Ditën Botërorë të Dhuruesve të Gjakut, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidentin e parë të Kryqit të Kuq Shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, Dr. Elmaz Konjarin (pas vdekjes): “Në vlerësim të drejtimit dhe kontributit të shquar si President i Kryqit të Kuq Shqiptar gjatë viteve 1945-1946.Me mirënjohje ndaj angazhimit të vyer, të dhënë për ringritjen dhe veprimtarinë humanitare të Kryqit të Kuq Shqiptar, duke i ardhur ndihmë popullatës së Shqipërisë në momentet më kritike të pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Parkun “Rinia”, duke iu drejtuar dhuruesve vullnetarë të gjakut, kreut aktual dhe anëtarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar si dhe pjesëtarëve të familjes së nderuar Konjari, Presidenti Meta u shpreh:

“Për mua është gjithmonë kënaqësi të takohem në këtë ditë të shënuar dhe t’ju falënderoj ju, dhe gjithë dhuruesve vullnetarë të gjakut.

 Sot, kemi Dita Botërore e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, një ditë që na kujton se duhet të shtojmë sa më shumë radhët e atyre, që shpëtojnë jetë

Dhurata juaj është unike, sepse nuk ka asnjë teknologji, qoftë edhe më e avancuara në botë, që të bëjë të mundur prodhimin e gjakut, përveç trupit të njeriut.

Dhuruesit e gjakut shpëtojnë jetë njerëzish çdo ditë, përmes aktit të tyre, veçanërisht, po të mendojmë se, në çdo sekondë, një njeri në botë ka nevojë për transfusion gjaku, për të mbijetuar.

Në çdo vend, ndërhyrjet kirurgjikale, traumat, aksidentet, anemia, komplikacionet gjatë lindjes apo sëmundje si talasemia kërkojnë gjak, disponibiliteti i të cilit varet nga bujaria e njerëzve si ju, që e dhurojnë atë.

Dëshiroj të falënderoj secilin prej jush, në këtë ditë të rëndësishme të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, për aktin tuaj sublim dhe human, atë të shpëtimit të jetës së qytetarëve tanë.

Vijmë pas një periudhe shumë të vështirë, atë të Pandemisë Covid-19, që vuri në sprovë të fortë sistemet shëndëtësore, sepse kur shëndeti i njerëzve është në rrezik, çdo gjë tjetër është në rrezik.

Asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara, nëse popullsia e vendit nuk është e shëndetëshme. Ashtu si edhe nga ana tjetër, shëndeti i popullsisë është thelbësor për paqen, sigurinë dhe mbarëvajtjen e çdo vendi.

Prandaj duhet të falënderojmë sot,  dhuruesit vullnetarë të gjakut, që në një moment kaq të vështirë si Pandemia Covid-19, bënë të mundur shpëtimin e jetës së shumë pacientëve,  në mënyrë të veçantë atyre talasemikë, si dhe për rastet emergjente.

Kjo krizë e jashtëzakonshëm na bëri të kuptojmë e vlerësojmë akoma më shumë veprimin njerëzor të dhuruesve vullnetarë të gjakut dhe rolin e tyre thelbësor, jo vetëm në kohë paqe, por veçanërisht në kohë krize.

Një falënderim i veçantë shkon kryesisht, për të rinjtë e të rejat tanë, që i përgjigjen gjithmonë thirrjes për të dhuruar gjak, dhe që e kanë kthyer kauzën e dhurimit të gjakut në një nga kauzat e tyre më me vlerë dhe të rëndësishme!

Jam krenar që këta të rinj, po bëhen çdo ditë e më të ndërgjegjshëm dhe po angazhohen gjithmonë e më shumë për të ndihmuar komunitetet e tyre.

Ndërkohë iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve, që të angazhohen në dhurimin e gjakut si një kauzë shumë njerëzore!

Duke dhuruar gjak i japim mundësi dikujt të jetojë dhe ai dikush, nesër mund të jetë një shok, mik, i afërt, familjar apo edhe ne vetë.

Asnjëherë mos mendoni se nuk keni shumë për të ofruar. Ne kemi burimin më të çmuar nga të gjithë: aftësinë për të shpëtuar një jetë duke dhuruar gjak. Prandaj duhet të ndihmojmë  dhe ta  ndajmë këtë dhuratë të çmuar me dikë tjetër në nevojë.

Falënderoj në mënyrë të veçantë Qendrën e Transfuzionit të Gjakut dhe mjekët e saj, që punojnë çdo ditë me pasion, për të siguruar gjak për të sëmurët në nevojë.

Po ashtu falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar, shoqatën më të vjetër humanitare në Shqiperi, që jep një kontribut të vazhdueshëm për kauzën e dhurimit të gjakut, për  mobilizimin dhe sensibilizon e të rinjve, të rejave dhe qytetarëve tanë, për t’iu bashkuar kësaj kauzë për përmirësimin e jetës dhe për të mbrojtur dinjitetin e atyre,  që janë në nevojë dhe në rrezik.

Në vlerësim të kontributit 100-vjeçar të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe gjithashtu, me mirënjohje për punën e jashtëzakonshme të anëtarëve dhe drejtuesve të saj, dëshiroj të vlerësoj sot, në Ditën Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, Presidentin e parë të pas Luftës së Dytë Botërore të Kryqit të Kuq Shqiptar, Dr. Elmaz Konjari.

Dr. Konjari, si President i Kryqit të Kuq Shqiptar në periudhën 1945-1946, ka dhënë një kontribut të shquar në ringritjen dhe funksionimin sa më të mirë të shoqatës, menjëherë pas çlirimit të vendit.

Falë profesionalizmit, patriotizmit dhe punës së tij të palodhur, shoqata e Kryqit të Kuq Shqiptar mundësoi sjelljen dhe shpërndarjen e ndihmave të shumta, për njerëzit në nevojë në Shqipërinë e atyre viteve, duke shpëtuar jetët e qindra njerëzve, kryesisht fëmijë dhe të moshuar.

Thirrja prekëse e Dr. Konjarit në takimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar: ‘Shqipëria që ka vuajtur kaq shumë, duhet ndihmuar!’ ka mbetur e skalitur në historinë e Kryqit të Kuq Shqiptar.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME