Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni, ka zbuluar datën se kur do të nisë puna në kampin e emigrantëve në Gjadër dhe pikën e pritjes së tyre në Shëngjin.
Në një konferencë të përbashkët me homologun e saj Edi Rama, Meloni tha se qendrat do të jenë gati në 1 gusht, ndërsa shtoi se koha për ndërtimin e tyre është lakuar shumë nga opozita italiane.
Meloni: Ne morëm parasysh disa kritere e kushte, emigracioni i jashtëligjshëm është fenomen shqetësues që vendet e BE nuk mund ta përballojnë të vetme, duhet ndihma edhe e vendeve jashtë BE. Na mbetet vetëm të forcojmë këtë bashkëpunim. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, Shqipëria ka vendosur disa territore ku Italia po kryen punimet për ngritjen e dy qendrave. Fillimisht në Shëngjin ku do të pritet dhe në Gjadër ku do të strehohen. Emigrantët që janë shpëtuar, sigurisht që në Shqipëri nuk do të vijnë gratë shtatzëna, personat në moshë të caktuar, do të jetë një strukturë ku do të kryhen të gjitha procedurat e kalimit të kufirit, do të kemi përshpejtim të procedurave kur janë nga vendet e sigurta. Do të jenë operative nga 1 gushti 2024. Do ta realizojmë me sukses. Dy muajt e vonesës janë shkaktuar për shkak të terrenit disi të vështirë në Gjadër.