Grupi A mbyll zyrtarisht llogaritë për “Euro 2024”. Gjermania arriti të merrte një barazim 1-1 ndaj Zvicrës, duke vendosur baraspeshën vetëm në minutat shtesë, në një duel që do të vuante shumë. Helvetët do të kalonin të parët në avantazh. Në minutën e 28-të, Freuler kroson në zonë, atje ku Ndoye e devijon mjaft mirë në rrjetën e portës së mbrojtur nga Neuer.
Gjermania vuajti shumë për t’u kundërpërgjigjur, ndërkohë që barazimi do të vinte vetëm në minutën e 92-të. Ky barazim mban skuadrën e Nagelsmann në krye të renditjes në Grupin A.
Në ndeshjen tjetër, Hungaria mori një fitore 1-0 ndaj Skocisë në minutën e fundit shtesë. Barnabas Varga ra pa ndjenja në tokë pas një përplasjeje në minutën e 69-të. Një situatë që solli ndërprerjen e menjëhershme të ndeshjes, ndërsa u desh ndërhyrja e shpejtë nga ana mjekësore për të shpëtuar lojtarin e Hungarisë, i cili u nxor me barelë nga fusha e lojës. Kevin Csoboth do të realizonte golin e vetëm për hungarezët në kohën shtesë, duke i dhënë 3 pikët e para ekipit të tij.