Krijesat e Inteligjencës Artificiale (IA) nuk kanë nevojë për kamera. Modelet e IA po përgatiten të zhvendosin modelet e vërteta dhe po trondisin industrinë e modës duke i i vënë nën presion veçanërisht vajzat e reja.
Viti 2024 është që tani një vit historik. Për herë të parë në historinë e Miss-eve, konkurseve botërore të bukurisë, sivjet u zgjodh një mbretëreshë bukurie e krijuar nga kompjuteri. “Miss-i Inteligjencës artificiale, IA” i pari në botë është influencuesja virtuale Kenza Layli, e cila fitoi garën kundrejt 1500 konkurrentëve të tjerë virtualë. Miss-i imagjinar me një hixhab të artë u krijua nga Myriam Bessa, themeluesja dhe drejtuesja e agjencisë marokene të IA, Atelier Digital. Ajo u shpall fituese më 8 korrik nga Shoqata Botërore e Çmimeve të Krijuesve të IA (WAICAS).
Marka e Mangos krijon trendin
A po u vjen fundi modeleve të vërteta së shpejti? Edhe nëse kësaj pyetje nuk mund t’i jepet përgjigje përfundimisht, një gjë është e sigurt: IA po revolucionarizon industrinë e modës. Marka spanjolle e modës Mango tregon se nga po shkohet. Për koleksionin e ri “Sunset Dream” nuk dolën më modele reale para kamerës. Vetëm veshja në foto është e vërtetë e projektuar në modelet e Ineligjencës Artificiale. Fushata e Mangos nuk ishte e vetmja risi në këtë sektor. Vitin e kaluar, ishte marka Levi’s që zu titujt e mediave me modelet virtuale dhe një bashkëpunim me startup-in holandez, Lalaland, që prodhon modele të IA për komercin elektronik.
“Inteligjenca artificiale po shkakton ndryshime të jashtëzakonshme në industrinë e modës”, shkruan Max Dewood nga agjencia amerikane e marketingut Reverb, e cila është e specializuar për IA. “Markat si Zara, H&M, Nike, Levi’s ASOS dhe Burberry po demonstrojnë se si IA tashmë po përdoret për të identifikuar dhe përdorur trendet, për të përmirësuar kujdesin ndaj klientit, për të optimizuar kërkimin dhe për të personalizuar sjelljen e blerësve.”
Vetëm një markë po refuzon qëllimisht të ndjekë trendin: Dove. Në një njoftim në maj të këtij viti, kompania, e cila është pjesë e grupit britanik Unilever, premton “të mos shfaqë kurrë imazhe të IA po gra të vërteta dhe të mos përdorë kurrë falsifikimin dixhital që të tregojë pamjen joreale, të shtrembëruar dhe bukurinë ‘perfekte’ pa të meta, që mundësohet nga përdorimi i përpunimit të imazheve.”
Arsyeja: Në një studim të kryer nga grupi i titulluar “Gjendja reale e bukurisë: Një raport global” provohet, se modelet e IA dhe influencuesit e IA vënë nën presion veçanërisht gratë dhe vajzat e reja me pamjen e tyre perfekte. Për shembull, shumica e vajzave 14 deri në 17 vjeç ranë dakord me fjalinë: “Kirurgjia plastike ju ndihmon të ndiheni më rehat në trupin tuaj”. Përqindjet e miratimit ishin veçanërisht të larta në Brazil (70%) dhe Kinë (57%).
Për studimin u anketuan rreth 33,000 njerëz në 20 vende. Këtu u përfshinë 14,000 gra dhe 4,000 burra nga mosha 18 deri në 64 vjeç, dhe 9,500 vajza dhe 4,700 djem nga mosha dhjetë deri në 17 vjeç.
Burrat do donin më shumë muskuj
Burrat dhe djemtë janë gjithashtu nën presion për të optimizuar pamjen e tyre. 79 për qind e meshkujve dhe 74 për qind e djemve thanë se nuk mendonin se trupi i tyre ishte muskuloz sa duhej. Mesatarisht në mbarë botën, 68 përqind e meshkujve dhe 59 përqind e djemve thanë se ndjeheshin nën presion për t’u dukur më tërheqës.
Aktivistja braziliane Beta Boeschat, e cila punoi për këtë studim e konfirmon se ka një pakënaqësi të përgjithshme në rritje me pamjen e jashtme. “Sa më shumë mjete të disponueshme ka për të ndryshuar pamjen tonë, aq më shumë rritet presioni për të arritur idealin dixhital të bukurisë fizikisht dhe në realitet”, tha ajo për DW.
Provën për këtë ajo e sheh në numrin në rritje të operacioneve estetike në mbarë botën. Ndërhyrja kirurgjikale tani është bërë më e përballueshme financiarisht dhe më e lehtë. “Kjo rrit presionin për të optimizuar veten jo vetëm për gratë, por edhe për burrat,” thotë Boechat.
Bukuria digjitale dhe pamja e vërtetë
Helmut Leder, profesor i estetikës empirike në degën e psikologjisë në Universitetin e Vjenës, shprehu gjithashtu shqetësimin për DW për presionin që lind nga hendeku midis idealeve të bukurisë dixhitale dhe pamjes reale. “Ky është një problem shumë dramatik,” thotë Leder.
Ai sqaron: “Fytyrat e prodhuara artificialisht janë me një përsosmëri të lëkurës, kanë përmasa perfekte dhe pothuajse të gjitha korrespondojnë me një ideal të përgjithshëm bukurie”. Sipas psikologut, “në një botë në të cilën ne nuk përballemi me njerëz të vërtetë, por me shumë fytyra të zbukuruara artificialisht, dëshira individuale për të qenë tërheqës dhe të bukur është shumë e madhe.”
Filtrat e bukurisë
Për zhvilluesit e bukurisë artificiale të modeles Milla Sofia modelet virtuale nuk janë ndonjë dramë e madhe, por shembuj për transformimin shoqëror të nxitur nga inteligjenca artificiale. Në faqen e tyre në internet, ata e lënë të flasë vetë modelen virtuale që përpiqet të heqë shqetësimet në lidhje me bukurinë digjitale. “Filtrat e bukurisë të njohura në mediat sociale kanë rritur presionin mbi pamjen,” thotë ai. “Me IA, ndryshimet janë thjesht më të lehta; ato janë vetëm një hap tjetër në trendin tashmë ekzistues drejt vetë-optimizimit.” Ndërsa ekspertja britanike e bukurisë Sally-Ann Fawcett e sheh revolucionin e IA në industrinë e modës si një mundësi për më shumë prezencë femërore. Autorja ishte anëtare e jurisë në konkursin e bukurisë “Miss IA 2024”. “Në vitet ’70, shumica e konkurseve të bukurisë organizoheshin nga burrat,” u shpreh ajo për revistën amerikane Time. “Tani 95 për qind e të gjitha konkurseve të bukurisë në Britani drejtohen nga femrat.
Kurse aktivistja Beta Boechat, nga ana tjetër, i trembet një kthimi mbrapa të “lëvizjes për pozitivet ndaj trupit”, e cila ka bërë fushatë për heqjen e idealeve joreale dhe diskriminuese të bukurisë për dekada. Aktivistët e konstatojnë këtë që tani, pohon ajo për DW. “IA po e arrin shoqërinë në një moment shumë të ndjeshëm,” vëren Boechat. “Kërkesat estetike po shtohen dhe lëvizjet kundër fuqisë së kultit të trupit janë dobësuar”.
Astrid Prange De Oliveira / DW