“Ujëra të kristaltë, çmime të ulëta dhe mbi të gjitha pa atë që ka marrë emrin “overturizëm” dhe që po mundon shumë vende të tjera të njohura. Nëse vitin e kaluar të gjithë u tërhoqën nga “fenomeni Shqipëria” si destinacionin perfekt veror me kosto të ulët, këtë vit italianët iu kthyen vendit të tyre duke rizbuluar… Kalabrinë”.
Kështu nis një shkrim i gjatë i gazetës italiane “Il Messaggero” me titull “Pushime me kosto të ulët: pas Shqipërisë, viti 2024 është viti i Kalabrisë. Pa turma, det ëndrrash dhe shezlong për 10 euro”. Gazeta nënvizon se të dhënat e kësaj vere dëshmojnë se muaji gusht shënoi një sukses të rëndësishëm për jugun e vendit fqinj. Kalabria në majën e çizmes nuk është një prej destinacioneve masive në Itali, por këtë verë bëri të kundërtën e asaj që bëri jugu i Shqipërisë.
Uli çmimet.
Observatori “Viaggi Astoi Confindustria” e vendosi Kalabrinë ndër destinacionet më të dëshiruara nga italianët së bashku me Pulian, Sardenjen dhe Siçilinë. Vitin e kaluar revista “Time” e renditi si një nga vendet më të “nënvlerësuara” për t’u vizituar të paktën një herë në jetë.
Kalabria ofron mbi 700 km vijë bregdetare midis detit Tirren dhe Jon me një det të pastër kristal, fshatra si kartolina dhe tre parqe kombëtare. Ka një përzierje mes detit, kulturës dhe natyrës që e bën atë shumë tërheqëse, së bashku me çmimet konkurruese.
Një shembull i çmimeve me kosto të ulët? Në bregdetin Tirren në Campora San Giovanni, një fshat i Amanteas, një çadër dhe dy shezlongë kushtojnë 10 euro për gjithë ditën, çdo ditë të javës, pa asnjë ndryshim gjatë gjithën gushtit. Parkimi (i ruajtur) është vetëm 2 euro. Situata është e ngjashme edhe në plazhin e afërt të Coreca-s me çadra dhe shezlong për 15 euro.
Çmime padyshim të ulëta në krahasim me mesataren italiane, për një det që nuk ka asgjë për të pasur zili nga ai i destinacioneve të tjera më të njohura. Në të njëjtin vend, një drekë në breg të detit me një pjatë Tagliatelle me karavidhe, një fetë ton, dy gota verë dhe pjatë anësore kushton rreth 50 euro për dy persona (25 euro secili).
Për më tepër, në shumë destinacione është e lejuar të marrësh drekën nga shtëpia pa qenë i “detyruar” të përdorësh restorantin lokal. Ndryshe është situata në bregdetin e Jonit, ku çmimet janë më të larta, duke arritur deri në 35 euro për një çadër dhe dy shezlongë.
Maria Cristina Gazzaruso, presidente e seksionit të turizmit të Unindustria Calabria thotë se “evropianët po rizbulojnë këtë rajon, edhe falë fushatave të ndryshme të cilat kanë rizgjuar markën “Calabria”.