Avioni luftarak me shumë funksione Rafale, i ndërtuar nga “Dassault Aviation”, më në fund po merr suksesin që priste jashtë vendit. Ai ka një peshë shumë të madhe në eksportet franceze të armëve, të cilat e kanë ngritur Francën në vendin e dytë në mbarë botën për nga vlera e eksportit, sipas raportit të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm, të botuar në mars. Kështu shkruan revista fanceze ‘Le Monde’ në një artikull të botuar.
Libri i porosive të ‘Dassault Aviation’ është aq i mbushur sa prodhuesi po lufton fort për të përmbushur kërkesat. Kontrata e fundit u njoftua me bujë të madhe të enjten më 29 gusht në Beograd, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Emmanuel Macron.
Ai braktisi kërkimin e tij për një kryeministër për 24 orë për të marrë pjesë në nënshkrimin e shitjes në Serbi të 12 avionëve Rafales, për një shumë që i afrohet 3 miliardë eurove.
Përderisa suksesi tregtar i këtij operacioni – i cili ka qenë në zhvillim e sipër që nga shitja e 12 modeleve të tjera tre vjet më parë në Kroaci, fqinji dhe rivali rajonal i Serbisë – është i pamohueshëm, dimensioni i tij diplomatik është shumë më i diskutueshëm. Që në fillim, projekti është konsideruar i ndjeshëm dhe me të drejtë, për shkak të lidhjeve të Serbisë me Rusinë e Vladimir Putinit.
Serbia, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, nuk i zbaton sanksionet e vendosura nga europianët ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës. Ndryshe nga linjat ajrore të BE-së, Air Serbia vazhdon të fluturojë drejt Moskës. Beogradi ka porositur gjithashtu helikopterë luftarakë dhe bateri të mbrojtjes ajrore nga Rusia dhe Kina.
Masat paraprake të nevojshme
Elysee po mbron pikërisht argumentin e kundërt për të justifikuar shitjen e Rafale, të cilën e sheh si një mjet për të “ankoruar Serbinë në Europë”, në vend që ta lërë atë të kalojë në një zonë gri që Moska dhe Pekini po përdorin për të ushtruar ndikimin e tyre.
Blerja e Rafales për të zëvendësuar flotën serbe të avionëve të vjetër rusë MiG-29 shënon një “ndryshim strategjik”, “historik dhe të rëndësishëm”, tha presidenti francez. Ai është i bindur se “klubi Rafale”, në të cilin Serbia bashkohet me Greqinë dhe Kroacinë, përkundrazi mund të “kontribuojë në paqen në Europë” dhe të nxisë integrimin rajonal.
Askush nuk do të kundërshtojë përfitimet për Francën dhe Europën nga pajisja e forcave ajrore serbe me avionë francezë dhe jo rusë – apo edhe amerikanë. Një shitje e tillë nënkupton një lidhje të zgjatur me vendin prodhues, në drejtim të trajnimit, mirëmbajtjes dhe furnizimit me pjesë këmbimi. Por ne duhet të shpresojmë që të gjitha masat paraprake janë marrë për të garantuar mbrojtjen e teknologjisë dhe njohurive të përfshira në Rafale, në një vend ku shtetasit rusë janë të lirë dhe ku prodhuesit kinezë dhe rusë të mbrojtjes kundërajrore do të jenë në gjendje të studiojnë nga afër avionët.
Së fundi, forca shtytëse më e fuqishme për integrimin e Serbisë në familjen europiane nuk gjendet nën kabinën e Rafales, sado të aftë që të jenë.
Pengesat kryesore për këtë afrim janë nacionalizmi dhe drejtimi autokratik i vendit të tij nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili ushtron presion mbi shtypin, keqtrajton kundërshtarët dhe nxit trazirat në Kosovë, pavarësinë e së cilës ai e refuzon. Fatkeqësisht, presidenti Macron nuk kishte asgjë për të thënë për të gjitha këto të enjten në Beograd. /Le Monde