Nations League fillon në mënyrën më të mirë të mundshme për kuqezinjtë e teknikut Sylvinho.
Shqipëria debuton me një fitore me përmbysje ndaj Ukrainës, në transfertën e luajtur në Çeki. Vendosën golat e shënuar nga Ismajli e Asani, që zhvleftësuan avantazhin e përkohshëm të skuadrës së Rebrov të shënuar nga Konopya.
Sylvinho nuk bëri surpriza në formacion, duke i dorëzuar shiritin e kapitenit Hysajt, i vetmi që ishte në balotazh me Balliun. Kuqezinjtë ishin në pritje, duke i lënë topin Ukrainës, por duke koleksionuar rastet më të mira në pjesën e parë. Dy herë Laçi, Manaj, por edhe Asllani tentuan portën e Trubin, ndërsa mundësia e parë për të besuarit e Rebrov erdhi vetëm në minutën e 41′ me Yaremchuk.
Shqipëria luajti me inteligjencë, me ide shumë më të qarta se të ukrainasve, duke intensifikuar përpjekjet sidomos në krahun e majtë me Mitajn e Bajramin. Në regji Asllani rregullonte ritmin, ndërsa Manaj bëri punët e “pista” gjatë gjithë ndeshjes.
PËRMBYSJE NËN SHENJËN E ISMAJLIT E ASANIT
E megjithë gjërat pozitive, Shqipëria u ndëshkua në hapje të pjesës së dytë në konkluzionin fluturimthi të Konoplia, në të cilin Kumbulla i lejoi distancë e Strakosha nuk ishte i pakapshëm. Momenti i vetëm në të cilin skuadra e Sylvinho pati luhatje e rrezikoi.
Ismajli ishte monumental me dy ndërhyrje shpëtimtare që ndaloi dyfishimin e rezultatit, përpara se të barazonte 1-1 në zhvillimet e një goditje këndi. Goli i tretë kuqezi i mbrojtësit, që kompletoi mbrëmjen e madhe edhe me një devijim me kokë që evitoi barazimin, pak minuta pasi Asani përmbysi rezultatin në minutën e 66′: i gjithi në shpejtësi, me Bajramin që liroi në thellësi Manajn, i cili me të jashtmen gjeti në qendër numrin 9 që nuk gaboi.
Provë e madhe maturie e kuqezinjve, që e nisin me tre pikë Nations League dhe bëhen gati për ndeshjen në shtëpi kundër Gjeorgjisë, fituese 4-0 ndaj Çekisë në debutim.