Thursday, November 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTA“The Telegraph”: Bandat shqiptare po rekrutojnë fermerë kanabisi në TikTok

“The Telegraph”: Bandat shqiptare po rekrutojnë fermerë kanabisi në TikTok

Mungesa e punëtorëve e shkaktuar nga arrestimet dhe goditja e emigracionit po detyron bosët e krimit të ofrojnë stimuj për ndarjen e fitimeve në mediat sociale.

Nga Charles Hymas, Redaktor i “The Telegraph”

Bandat shqiptare të drogës po rekrutojnë tashmë hapur në TikTok “fermerë” për rritjen e kanabisit për shkak të mungesës së punëtorëve në Britani. Bosët e bandave po përdorin mediat sociale për të kërkuar punëtorë për të rritur të korrat e kanabisit dhe për këtë ofrojnë pagesa speciale. Në vend që t’u paguhen shpenzimet, punëtorët e fermave do të marrin deri në 30% të fitimeve nga shitja e drogës në rrugë.

Stimujt financiarë janë bërë të nevojshëm për shkak të rënies dramatike të numrit të shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla dhe me një rritje të ndjeshme të numrit të shqiptarëve që burgosen për kultivim kanabisi ose deportohen pas mbërritjes në Britani.

Duke komentuar për “The Telegraph”, Angela Eagle, Ministre e Sigurisë Kufitare thotë se “është tronditëse që bandat kriminale po përdorin mediat sociale për të kapur pre njerëz të cenueshëm, duke i joshur ata të punojnë në kushte të neveritshme dhe të kultivojnë droga si kanabisi me premtime të rreme fitimi”.

“Qoftë online apo në rrugët tona, nuk duhet të ketë vend për t’u fshehur për ata që shkelin ligjin. Ne jemi duke rritur aktivitetin e zbatimit për të bërë më shumë arrestime, duke rritur ndjekjet penale jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por me partnerë në të gjithë Evropën, dhe duke siguruar që të gjithë partnerët tanë përkatës po punojnë krah për krah nën komandën tonë të re të sigurisë kufitare.”

Bandat shqiptare kanë arritur të dominojnë tregun vendas të kanabisit, me bimët që rritin në shtëpi apo ambiente industriale të lira duke përdorur teknologjinë hidroponike të importuar nga fermat e vendlindjes së tyre. Dekadën e kaluar, ata arritën të mposhtin vietnamezët si furnizuesit kryesorë të kanabisit për përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar.

Rritja e tyre në treg u forcua me rritjen e një fluksi të vazhdueshëm punëtorësh prej rreth 12 000 emigrantësh të paligjshëm shqiptarë që mbërritën në vitin 2022.

Masat e shpejta të dëbimit

Megjithatë, që atëherë, numrat janë zvogëluar pasi qeveria ka ashpërsuar zbatimin dhe ka nënshkruar një marrëveshje të shpejtë deportimi me Shqipërinë. Vitin e kaluar, shifrat ranë në vetëm 900 dhe në 6 muajt e parë të këtij viti, vetëm 150 shqiptarë kanë kaluar Kanalin me varka të vogla.

Ndërkohë, numri i shqiptarëve të burgosur për punësim në ferma ilegale është rritur. Në korrik, 29 persona morën dënime që varionin nga 8 muaj deri në 2 vjet e 4 muaj burg për prodhimin e kanabisit për furnizimin e tregut të Mbretërisë e Bashkuar. 24 të tjerë u dënuan në gusht teksa një shumicë është në pritje të dënimit këtë muaj.

“Krimi i organizuar shqiptar po ofron përqindje në prodhimin e drogës për bashkatdhetarët e tyre që të punojnë si fermerë kanabisi” – thotë një ekspert shqiptar i zbatimit të ligjit. “Këta hapa të pazakontë janë të lidhura me mungesën e njerëzve të gatshëm të mbyllen në shtëpi për të kultivuar kanabis. Njoftime të tilla vendosen në TikTok duke ofruar deri në 30% të pjesës së shitjes në varësi të sasisë së kanabisit të prodhuar.”

“Kërkohen punëtorë për shtëpitë e barit”

Një njoftim në shqip, i parë nga “The Telegraph” thoshte: “Unë jam pronar i një shtëpie me kanabis. Unë kisha biseduar me punëtorin tim, më pas gjithçka shkoi keq. Tashmë i jap një punonjësi 30% të fitimit të bërë në atë shtëpi pa shpenzime jetese”.

Një tjetër thotë: “Kërkohen punëtorë për shtëpitë e barit. Nëse kujdeseni për 80 bimë, merrni 25% të produktit dhe ne paguajmë shpenzimet. Koment ose DM”.

Një i tretë ofron një pagë prej 9 000 £ për një punë 3-mujore brenda një shtëpie kanabisi, duke përfshirë rritjen e bimëve, korrjen dhe paketimin.

Një i katërti me një foto të një burri të maskuar me një zinxhir të rëndë ari të varur në gjoks thotë thjesht: “Respekt për të gjithë djemtë që punojnë për 30% “.

Tipiku i të burgosurve është Edison Cenaj, 21 vjeç, i cili u arrestua në një shtëpi në Brynmawr në Uellsin jugor, ku policia zbuloi se ai po kujdesej për më shumë se 120 bimë me vlerë deri në 85 000 £. Ai u burgos për 32 javë.

Avokati i tij Tochi Ejimofo i tha gjykatës së Cardiff Crown se Cenaj ishte vulnerabël dhe kishte punuar në fermën e kanabisit për të shlyer borxhet ndaj bandës që e solli ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ai kishte ardhur në Britaninë e Madhe për të kërkuar punë, por tani shpresonte të kthehej në Shqipëri dhe të studionte shkenca sportive.

TikTok thotë se është i përkushtuar për të siguruar që aplikacioni të mos përdoret për të përfituar nga njerëzit e cenueshëm dhe nuk lejon asnjë përmbajtje që lehtëson ose koordinon kontrabandën e njerëzve ose lidhjet kriminale. Ai thotë se postimet ishin hequr ose do të hiqen dhe do të hetohen për shkelje të udhëzimeve të komunitetit. ©Marrë nga “The Telegraph, përshtati në shqip LAPSI.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME