Dëbora bllokon 13 shtetas në Ersekë, shpëtohen mga policia
Ersekë- Policia ndihmoi 13 shtetas që mbetën në aksin rrugor Korçë-Esekë si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Ersekë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Leskovik, dhe shërbimin Zjarfikës Ersekë, u shkuan në ndihmë disa qytetarëve që kishin mbetur në rrugën e vjetër “Korçë-Ersekë”, pasi automjetet me të cilat qarkullonin nuk mund të vijonin lëvizjen për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe se automjetet e tyre ishin të pa pajisur me zinxhirë .
Shërbimet e Policisë shkuan në fshatin Qafëzezë me automjete të Policisë të kalueshmërisë së lartë dhe ju dhanë ndihmë 11 shtetasve që udhëtonin me dy automjete, si dhe dy shtetasve që automjeti i tyre kishte mbetur tek 3 Urat e Leskovikut.
Qytetarët kanë falënderuar punonjësit e Policisë për ndihmën e shpejtë në kushte të vështira si pasojë e dëborës.
Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve nëse udhëtojnë drejt qytetit të Ersekës, të përdorin zinxhirë dhe goma dimërore, të moderojnë shpejtësinë, dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Borëpastrueset po vijojnë punën për pastrimin e rrugës.
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.