Nëse Tramp do ti bëjë ato që thotë… Bota nuk do të jetë më kjo që është!
Nga Mentor Kikia – Presidenti Tramp nuk është thjeshtë njeriu që drejton vendim më të fuqishëm në Botë. Por është ai që ia di vlerën pushtetit që ka, më shumë se askush dhe që premton ta përdorë atë më shumë se askush deri tani.
Fjalimi i tij nuk ishte thjeshtë fjalim përurimi, por një projekt mbushur plot objektiva. Deri tek e paimagjinueshmja…
“Nga sot do të shpall një emergjencë kombëtare energjetike. Amerika do të bëhet sërish një komb prodhues i naftës dhe gazit, pasi ajo ka rezervat më të mëdha në botë. Do të ulim çmimet, do të mbushim rezervat tona strategjike plot e përplot dhe do të eksportojmë energji amerikane në mbarë botën”- tha Tramp.
SHBA kanë patur një politikë historike për ruajtjen e rezervës së vet. Në presidencën e parë, ai i dha hov industrisë nxjerrëse të naftës në vend për të ulur importin. Por shndërrimi i Amerikës në një vend potencial eksportues, do të ndryshojë shumë raporte në tregun e arit të zi, që ka ngritur perandori ekonomike në mes të shkretëtirës në Lindjen e Mesme, apo që mban në këmbë fuqi si Rusia.
Nafta dhe mjedisi nuk bashkëjetojnë, ndaj dhe Trump, një nga dekretet që firmosi sapo hyri në zyrë ishte dalja e SHBA nga Marrëveshja për Klimën( e Parisit), duke u bërë një ndër 4-5 vendet e pakta që nuk e respektojnë këtë pakt që konsiderohet një fitore e madhe në ruajtje të planetit.
Nga ana tjetër, ai premtoi një ekspansion të prodhimit të automjeteve alektrike. Me Elon Musk, si fuqi ekonomike dhe politike tashme, kjo industri nuk do të ketë nevojë për “projekte ndërgjegjësimi” për të përdorur automjetet elektike. “Me veprimet e mia sot, do t’i japim fund Marrëveshjes së Re të Gjelbër dhe do të shfuqizojmë mandatin për automjetet elektrike, duke shpëtuar industrinë tonë të automobilave. Do të ndërtojmë automobila në Amerikë përsëri, në një shkallë që askush nuk e kishte ëndërruar”.
Tramp premtoi dhe firmosi menjëherë futjen në fuqi të tarifave doganore e tregtare për importet, për të mbrojtur prodhimin vendas.
Ai do të ngrejë në një nivel të pa shënuar deri tani luftën tregtare me Kinën. Tramp deklaroi se do të rimarrë Kanalin e Panamasë, që sipas tij “po e operon Kina duke na tarifuar neve”. Një veprim ky me efekte të mëdha politike, ushtarake, ekonomike dhe strategjike.
Ai deklaroi se do ti ndërrojë emrin Gjirit të Meksikës dhe do të zgjeroje territoriet amerikane. Po ku? Në kurriz të kujt? Objektivat e deklaruar më herët janë Kanadaja dhe Groenlanda.
Ai i dha një goditje të fortë politikave liberale shoqërore lidhur me familjen dhe orientimin seksual. “Nga sot, do të jetë politikë zyrtare e qeverisë amerikane që ekzistojnë vetëm dy gjini: mashkull dhe femër”.
Ai pritet të kufizojë marrëdhëniet me OBSH-në, ndaj të cilës ka akuza për pridhimin në laborator të Covid 19. Si hap i pare, ai deklaroi se “do të rikthej në detyrë të gjithë ushtarët që u përjashtuan padrejtësisht, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj mandatit të vaksinës Covid, duke i shpërblyer me pagat e plota të prapambetura”.
Ai ndikoi në fundin e luftës në Gazën e rrënuar dhe premton ndalimin e luftës në Ukrainë.
Dhe në fund, premtoi për të nisur astronautët amerikanë për të vendosur Flamurin me Yje dhe Vija në planetin Mars.
Ai i bëri këto deklarime ndërsa pas shpinës së tij qëndronin katër sipërmarrës, Elon Musk, Mark Zuckerberg, Sundar Pichai dhe Jeff Bezos, që vlejnë 800 Miliard Dollarë
Nuk dallon dot se ku mbaron realizmi në këtë plan ambicioz e ku fillon euforia përzjerë me arrogancën dhe etjen për tu hakmarrë ndaj një sistemi drejtësie që e përndoqi(sipas tij politikisht) për 4 vjet.
Por ai nisi menjëherë me firmosjen e akteve të para, dhe nëse ai vazhdion ta përdorë pushtetin me efektshmërinë që përdori për ti ulur automatin luftës së Izraelit dhe Hamasit, atëherë nuk duhen dyshuar këto premtime.
Nëse këto realizohen, Bota nuk do të jetë më kjo që është. Gjithësesi, duhet të presim të mësojmë nëse do të bëhet më e paqtë, më e drejtë dhe më e pastër.