“Jo paneleve në tokat e bukës – banorët e Semanit në protestë”

Fier – Dhjetëra banorë dhe fermerë të fshatit Sektor Seman, që bën pjesë në njësinë administrative Topojë të Bashkisë Fier, protestuan mëngjesin e së hënës përballë një shqetësimi të madh që, sipas tyre, po kërcënon të ardhmen e bujqësisë dhe jetesës së tyre.
Ata kundërshtojnë vendosjen e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli në tokat bujqësore të zonës, duke theksuar se po ndodh një zaptim sistematik i tokave të punueshme, pa dijeninë dhe pëlqimin e komunitetit vendas.
Sipas banorëve, toka e bukës, dikur e mbjellë me grurë, misër, elb, tërshërë, jonxhe apo kultura të tjera ushqimore, tani po mbulohet nga panelet diellore që, sipas tyre, po vendosen nga subjekte apo individë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë fshat, as juridike dhe as sociale.
Ata shprehen se sipërfaqe të tëra toke, që fillojnë nga zona bregdetare e Semanit dhe vijojnë në thellësi drejt Kullës së Ujit, janë në proces të shndërrimit në parqe fotovoltaike. Procesi, siç deklarojnë ata, është i dyshimtë dhe mungon çdo transparencë, qoftë në aspektin administrativ, qoftë në atë ligjor.
Fermerët theksojnë se kanë dekada që punojnë këto toka, i kanë mbajtur me shumë mund, kanë paguar taksa në ish-komunën Topojë dhe më pas në Bashkinë Fier, ndërsa tani po ndihen të përjashtuar dhe të nëpërkëmbur nga proceset e zhvillimit.
“Ne nuk jemi kundër energjisë së rinovueshme,” – shprehen ata. “Por jo në dëm të tokës bujqësore, jo në dëm të atyre që jetojnë prej saj, jo në kurriz të bukës sonë të përditshme.”
Sipas tyre, zonat që po preken janë pjesë e tokave më të mira të Myzeqesë, të cilat aktualisht janë në prodhim dhe nuk janë toka djerrë apo të papërdorura. Ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Energjisë, që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar këtë fenomen dhe për të mbrojtur bujqësinë vendase.
Në protestë u theksua gjithashtu mungesa e konsultimeve publike me komunitetin lokal dhe mungesa e një plani të qartë zhvillimi që të balancojë interesin energjetik me nevojat jetike për ushqim dhe për ekonomi rurale.
Banorët paralajmëruan se do të vazhdojnë protestat dhe do të ndjekin rrugën ligjore nëse nuk merren masa për të ndaluar ndërtimin e paneleve diellore mbi tokat e tyre. Ata kërkojnë që investimet në energjinë diellore të orientohen drejt zonave të pashfrytëzuara, malore apo kodrinore, ku nuk preken tokat e punueshme dhe jetesa e fermerëve.









