Mediu: Zgjedhjet ishin të grabitura, opozita duhet të luftojë brenda Parlamentit

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se opozita nuk duhet të bjerë në grackën e bojkotit, por përkundrazi, të shfrytëzojë institucionet, sidomos Kuvendin, si një mjet për të luftuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mediu theksoi gjatë një interviste se mosnjohja e zgjedhjeve të 11 majit është një qëndrim i drejtë politik, por paralelisht opozita ka detyrimin të zhvillojë betejën demokratike brenda institucioneve.
Ai e cilësoi të rrezikshëm rikthimin te praktika e bojkotit parlamentar, duke kujtuar se e kaluara ka treguar se një veprim i tillë vetëm i ka shërbyer mazhorancës dhe ka dobësuar rolin e opozitës në sytë e ndërkombëtarëve.
“Qëndrimi në raport me zgjedhjet, qëndrimi në raport me parlamentin janë dy gjëra që dallojnë me njëra-tjetrën. Të mos njohësh zgjedhjet e grabitura mendoj është qëndrim korrekt politik. E dyta të bësh luftë në Kuvendin e Shqipërisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme kjo është një detyrë opozitare”, tha Mediu.
Sipas kreut të PR-së, Kuvendi është institucioni i vetëm ku opozita në bashkëpunim edhe me presionin ndërkombëtar mund të garantojë standardet zgjedhore. Prandaj për Mediun, bojkoti i parlamentit nuk duhet diskutuar pasi është provuar se është gabim edhe në të shkuarën. Sipas tij, opozita duhet t’i përdorë të gjitha mjetet që ka në dorë, që nga lufta në parlament, e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Nëse e le siç e la në vitet e shkuara opozitare për t’ia dhënë gratis Edi Ramës ccdo gjë për të kontrolluar dhe për të shkatërruar demokracinë, funksionalitetin kushtetues, por edhe opozitën , unë mendoj që do ishte gabim jo i vogël opozitar. Opozita duhet të jetë e mençur. E mençur në kuptimin që duhet të ndërtojë një raport të drejtë me qytetarët shqiptarë, e cila jo gjithmonë varet nga sasia, por edhe nga kualiteti i mendimit dhe qasja, pastaj edhe në raport me ndërkombëtarët. Ne e kemi paguar shtrenjtë braktisjen e parlamentit dhe politikat tona edhe në raport me ndërkombëtarët duke krijuar një thyerje dhe duke parë si alternativë atë që nuk është alternativë, qeverisjen e sotme për integrimin europian”, tha Mediu.
Kujtojmë se opozita nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit. Ajo ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit Rregullator që certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.









