Juventus fiton ndeshjen e çmendur ndaj Inter me 7 gola

Spektakël në Torino, Juventus mposht Interin 4-3, vendos predha e Adzic në minutën e 91-të.
Gola të bukur, gabime vendimtare dhe emocione deri në fund. Allianz Stadium përjetoi një ndeshje të çmendur mes Juventusit dhe Interit, me bardhezinjtë që triumfuan në minutat shtesë.
Në fillimin e javës së tretë të Serie A, Juventusi arriti një fitore të madhe ndaj Interit me rezultatin spektakolar. 4-3 fituan bardhezinjtë, në një ndeshje ku loja ndryshoi ritëm dhe drejtim disa herë gjatë 90 minutave.
Zikaltrit e nisën më mirë takimin. Por vendasit gjetën avantazhin dy herë në pjesën e parë. Fillimisht me Kelly në minutën e 14-të dhe më pas me Yildiz në të 38-ën. Calhanoglu barazoi përkohësisht me një goditje të saktë nga jashtë zone.
Në pjesën e dytë, mesfushori turk realizoi dopietën personale me një tjetër goditje precize nga distanca, duke kaluar për herë të parë në avantazh skuadrën e Chivu.
Spektakli vazhdoi me një episod të rrallë. Vëllezërit Thuram shënuan të dy në portat kundërshtare nën sytë e babait të tyre, Lilian Thuram, i pranishëm në tribunë. Fillimisht Marcus shënoi me kokë për Interin, më pas Khephren barazoi për Juven në të njëjtën mënyrë, duke çuar rezultatin në 3-3.
Kur dukej se gjithçka do të mbyllej në barazim, në minutën e 91-të, Adzic lëshoi një silur nga distanca që befasoi portierin Sommer. Kështu malazezi i dhuroi Juves një fitore të madhe në shtëpi dhe vulosi një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni deri tani.









