AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

“Naftëtarët përballë Bankersit në ditën e 15-të: ‘Nëse nuk ka zgjidhje, grevë urie para Kryeministrisë” (foto e video)

Fier – Në ditën e 15-të të protestës, tensioni dhe vendosmëria e naftëtarëve të Sindikatës së Hidrokarbureve janë rritur ndjeshëm. Mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00, afro 150 punonjës së bashku me 7 grevistët e urisë u mblodhën para zyrave qendrore të kompanisë Bankers Petroleum në Fier, duke kërkuar zgjidhje për kërkesat e tyre që prej ditësh kanë mbetur pa përgjigje.

Me pankarta në duar ku lexohej “Jo diskriminimit në paga”, “Punë me dinjitet”, “Duam statusin e naftëtarit”, protestuesit shprehën zemërimin e tyre ndaj diferencimeve në paga dhe mungesës së meritokracisë brenda kompanisë.

Atmosfera ishte e ngarkuar, ndërsa brohoritjet dhe thirrjet e tyre kumbonin në rrugët përreth zyrave të administratës.

Në protestë morën fjalën Dritan Shaho, kryetari i Sindikatës së Hidrokarbureve, dhe Dritan Rrapushi, një nga grevistët e urisë. Ata theksuan se kërkesat e punëtorëve janë të qarta: stabilizim i nivelit të pagave sipas vendeve të punës, meritokraci për ngritjet në detyrë dhe njohje zyrtare e statusit të naftëtarit.

Shaho u shpreh se punëtorët nuk do të tërhiqen derisa të trajtohen me dinjitet, ndërsa Rrapushi, i dobësuar nga greva, por i vendosur në qëndrim, deklaroi se “kjo nuk është vetëm një betejë për pagën, por për respektin ndaj çdo punëtori që derdh djersë në puse”.

Në mesin e protestuesve kishte edhe familjarë, madje disa prindër kishin ardhur me fëmijët e tyre, të cilët mbanin pankarta në duar si shenjë mbështetjeje për prindërit e tyre. Kjo skenë prekëse shtoi peshën emocionale të tubimit.

Naftëtarët denoncuan gjithashtu intimidimet dhe presionet që, sipas tyre, disa menaxherë të kompanisë u bëjnë punonjësve dhe familjarëve të tyre për të mos marrë pjesë në protestë. Megjithatë, ata u shprehën të vendosur për të mos u dorëzuar.

Në përfundim të protestës, përfaqësuesit e sindikatës paralajmëruan se nëse qeveria nuk ndërhyn si ndërmjetëse dhe kompania nuk plotëson kërkesat, atëherë hapi i radhës do të jetë vendosja e çadrave dhe nisja e një greve urie para Kryeministrisë në Tiranë.

Naftëtarët theksojnë se nuk po kërkojnë lëmoshë, por drejtësi, dinjitet dhe trajtim të barabartë për punën e tyre të vështirë në terren. Protesta e ditës së sotme është një tjetër sinjal i qartë se durimi i tyre ka arritur kufirin.

Alb365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button