Naftëtarët me strategji të re: Indiferenca e qeverisë dhe e kompanisë ndez zemërimin në ditën e 16-të të protestës.

FIER – Greva e urisë e naftëtarëve të uzinës së Ballshit ka hyrë tashmë në ditën e 16-të, ndërsa tensioni dhe lodhja fizike janë shtuar, por vendosmëria e tyre mbetet e palëkundur. Përballë indiferencës së drejtuesve të kompanisë koncesionare dhe heshtjes së qeverisë, naftëtarët kanë paralajmëruar ndryshim të strategjisë së protestës, duke sinjalizuar se faza e re do të jetë më e organizuar dhe më e fortë në qëndrime.
Këtë qëndrim e bëri publik kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Sektorit Hidrokarbur, Dritan Shaho, i cili tha se grevistët dhe sindikata do të ndërmarrin hapa të rinj në vijim, për të mos lejuar që kauza e tyre të harrohet apo të injorohet nga institucionet.
“Naftëtarët nuk do të dorëzohen. Nëse qeveria dhe kompania mendojnë se me heshtje do t’i lodhin grevistët, e kanë gabim. Ne po përgatisim një strategji të re për ta çuar përpara këtë betejë me dinjitet dhe vendosmëri,” – deklaroi Shaho për mediat, duke shtuar se situata ka hyrë në një fazë kritike, ku durimi i punëtorëve është vënë në provë.



Akuza për lidhje klienteliste dhe mungesë ndërhyrjeje nga qeveria
Sipas grevistëve, administrata e kompanisë koncesionare nuk ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e tyre, duke vazhduar të veprojë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ata akuzojnë gjithashtu qeverinë se ka zgjedhur rolin e vëzhguesit pasiv, pa ndërmarrë asnjë iniciativë për dialog mes palëve.
“Kjo heshtje nuk është e rastësishme,” – thanë disa prej naftëtarëve në grevë. – “Kompania ka punësuar familjarë të drejtuesve të institucioneve që duhet ta kontrollonin. Kjo është arsyeja pse askush nuk ndërhyn. Kjo është padrejtësi e dyfishtë, ndaj punëtorëve dhe ndaj ligjit.”
Prej më shumë se dy javësh, dhjetëra naftëtarë protestojnë çdo ditë në ambientet e ish-uzinës së Ballshit, ndërsa tetë prej tyre vazhdojnë grevën e urisë, e cila ka lënë pasoja serioze në shëndetin e tyre. Përfaqësues të sindikatave të tjera, veteranë të sektorit dhe qytetarë të Fierit i kanë vizituar për të dhënë mbështetjen morale, ndërsa asnjë përfaqësues zyrtar nga qeveria apo kompania nuk është paraqitur për dialog.




Dita e 17-të do të shënojë kthesën
Grevistët njoftuan se nëse situata nuk ndryshon dhe dita e 17-të i gjen sërish pa përgjigje, ata do të ndërpresin përkohësisht grevën e urisë për të zhvilluar një mbledhje të posaçme të kryesisë së sindikatës.
Në këtë mbledhje pritet të përcaktohen rrugët e reja të veprimit, mënyra e re e organizimit dhe format alternative të protestës, që mund të përfshijnë bllokime rrugësh apo marshime drejt institucioneve qëndrore.
“Nëse nuk dëgjohemi me urinë, do të na dëgjojnë me veprim. Do të ndryshojmë formën, por jo qëllimin. Ne kërkojmë vetëm të drejtën tonë, pagat e prapambetura dhe respektin për punën tonë,” – u shprehën disa prej grevistëve, të lodhur por të vendosur.
Shpresa për dialog mbetet e vakët
Ndërsa orët kalojnë dhe greva thellohet, shpresa për ndërmjetësim duket gjithnjë e më e zbehtë. Sindikata kërkon që qeveria të marrë rolin e garantuesit për zbatimin e kontratës dhe të detyrojë kompaninë të respektojë detyrimet ndaj punëtorëve. Por deri tani, asnjë institucion nuk ka reaguar zyrtarisht.
Në ambientet e grevës mbizotëron një atmosferë e rëndë emocionale, ku lodhja, dhimbja dhe revolta përzihen me ndjenjën e solidaritetit dhe krenarisë për qëndresën. Naftëtarët e Ballshit, që prej 16 ditësh po sfidojnë urinë dhe harresën, thonë se kauza e tyre nuk është vetëm për pagat, por për dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar me punën e tyre./ Alb365/ Xhemil Beharaj












