AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Fermerët e Myzeqesë: Prodhimi na kalbet në ara, shteti na ka lënë në harresë (foto e video)

Fier – Në zemër të Myzeqesë, aty ku toka ka ushqyer brez pas brezi familjet e punëtore të Fierit, sot dëgjohet një zë i përbashkët, i mbushur me zhgënjim dhe revoltë:
“Punojmë tokën, por prodhimi po na kalbet në ara.”

Fermerët e fshatrave Verri, Kallm i Madh, Kallm i Vogël dhe Imsh po përballen me një situatë të vështirë ekonomike. Ata thonë se mungesa e tregjeve, mungesa e subvencioneve dhe sjellja e padrejtë e pikave të grumbullimit po i çon drejt falimentimit.

Pikat e grumbullimit, nga ndihmë në pengesë

Fermerët shprehen se pikat e grumbullimit, që dikur ishin mbështetje për ta, janë kthyer sot në konkurentë të padrejtë.
“Personat që i kanë pikat, mbjellin vet sipërfaqe të mëdha dhe shesin prodhimet e tyre, ndërsa ne, që kemi djersitur tokën, mbetemi me mallin pa shitur,” – thotë një banor nga Verri.

Ata theksojnë se situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë, pasi këto pika jo vetëm që blejnë me çmime të ulëta, por shpesh i lënë fermerët pa pagesa të rregullta. “Përfitojnë TVSH-në dhe subvencionet, por ne s’na mbetet asgjë,” – shtojnë ata.

Toka mbillet, por prodhimi nuk shitet

Në të kaluarën, këto zona njiheshin për shumëllojshmërinë e kulturave bujqësore. Sot, sipas fermerëve, “mbjellje ka, por nuk ka treg”.
“Kemi domate, speca, qepë, patate që na mbeten në arë, sepse nuk ka kush t’i blejë,” – tregon një fermer nga Kallmi i Madh.

Prodhimi, që dikur ishte burim jetese për qindra familje, tashmë është kthyer në barrë. Shumë fermerë e kanë reduktuar mbjelljen, ndërsa të tjerë mendojnë të braktisin fare tokën.

Blegtoria në rënie: dikur 250 krerë lopë, sot mezi 30

Kriza ka përfshirë edhe sektorin e blegtorisë. “Në një fshat me 80 shtëpi dikur kishim 250 krerë lopë, sot mezi 30 apo 40,” – tregojnë banorët.

Sipas tyre, çmimi i ulët i qumështit nga pikat e grumbullimit ka shkatërruar fitimin, duke e bërë të pamundur mbajtjen e bagëtive.
“Çmimi është aq i ulët, sa nuk ia vlen të mbash lopë. Të rinjtë nuk duan më të merren me këtë punë – është lodhje pa fitim,” – thotë një tjetër fermer.

Shteti mbështet tregtarët, jo fermerët

Fermerët shprehen me indinjatë se politikat bujqësore të viteve të fundit nuk kanë ndihmuar prodhuesit e vërtetë, por kanë favorizuar tregtarët dhe bizneset e mëdha.
“Shteti na ka harruar. Ne që mbjellim, që punojmë tokën, jemi lënë pas dore. Mbështeten vetëm ata që kanë pika grumbullimi e qarkullojnë mallra të mëdha,” – thonë fermerët e Myzeqesë.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve për të ndaluar shpopullimin e fshatrave dhe shkatërrimin e bujqësisë vendase.

Një thirrje për ndihmë nga zemra e Myzeqesë

“Toka punohet, por prodhimi nuk shitet. Po kalbet në ara. Nëse shteti nuk mendon për ne, fshati do të zbrazet krejt,” – shprehen fermerët.
Kjo është thirrja e tyre, një zë që vjen nga zemra e Myzeqesë, ku njerëzit punojnë me mund, por nuk shohin dritë në fund të arës./ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button