Tragjedia në Cakran/ 16-vjeçari humbi jetën teksa shkoi të blinte cigare për vëllain në berberanë.

Cakran – Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik me pasojë vdekjen e një 16-vjeçari, i ndodhur disa ditë më parë në aksin Levan–Tepelenë, në vendin e njohur si kryqëzimi i Cakranit. Ngjarja tronditëse i mori jetën adoleshentit, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër është ndaluar nga Policia e Fierit.
Sipas burimeve pranë familjarëve të viktimës, por edhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, mësohet se 16-vjeçari ndodhej së bashku me vëllain e tij në një berberane në Cakran. Teksa priste radhën për t’u qethur, vëllait i kishin mbaruar cigaret. Në këto kushte, pak para se të ulej në karrigen e berberit, ai i kërkoi vëllait të shkonte të blinte një paketë cigare.
Vëllai i ka dhënë çelësat e automjetit dhe 16-vjeçari ka marrë makinën për t’u drejtuar drejt një lokali në zonën e Buzmadhit, pranë autostradës Levan–Tepelenë, pasi dyqanet përreth ishin të mbyllura.
Nga pamjet filmike të sekuestruara nga policia dhe grupi hetimor, rezulton se në momentin e aksidentit në autostradë po qarkullonin dy automjete në sensin Tepelenë– Levan. Pasi ka kaluar mjeti i parë, 16-vjeçari ka hyrë menjëherë në autostradë me një shpejtësi rreth 40 km/h, duke mos arritur të shmangë përplasjen fatale me automjetin tjetër.
Si pasojë e përplasjes së fortë, adoleshenti ka pësuar dëmtime të rënda dhe ka ndërruar jetë në momentin që është futur në autoambulancë për t’u transportuar drejt urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, ku do të merrte ndihmën mjekësore.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe marrjes së ndihmës mjekësore, drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë në aksident është ndaluar nga Policia e Fierit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.









