Përgjaket 2026! Aksidentohen dy makina në Tepelenë, humbin jetën tre të rinj

Një aksident tragjik është shënuar në orët e para të këtij viti të ri. Dy automjete me të rinj janë përplasur në aksin Ura e Leklit në Tepelënë, në vendin e quajtur Bypass.
Fatkeqësisht si pasojë e kësaj përplasje fatale kanë humbur jetën tre të rinj, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur dy të tjerë. Burime për mediat bëjnë me dije se shtetasit Klejdi Myftari, Anxhelo Ruci dhe Martin Dulaj nuk kanë arritur që të mbijetojnë, ndërkohë që njëra prej të plagosurave është identifikuar si Arsida Demiri, 20 vjeç dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Lidhur me këtë ngjarje nuk ka një reagim zyrtar nga policia, priten më tepër detaje në vijim.
Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:18, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.









