‘Vjosa’ arrin kuotën kritike, evakuohen banorët në Bishan, Fitore dhe Ferras

Njëzet familje në fshatin Ferras janë evakuuar si pasojë e rritjes së ndjeshme të prurjeve të lumit Vjosë. Vendimi është marrë nga Shtabi i Emergjencave Civile, pas monitorimit të vazhdueshëm të situatës në terren.
Sipas të dhënave zyrtare, matjet e kryera në orët e mëngjesit në lumin Vjosë, në zonën e Memaliajt, kanë shënuar nivel rreth tetë metra mbi nivelin e detit, ndërsa rritja e prurjeve është reflektuar edhe në Urën e Mifolit, ku niveli i ujit është përshkallëzuar ndjeshëm deri në mesditën e sotme.
Frika nga ndonjë çarje e mundshme e argjinaturës ka shtyrë Shtabin e Emergjencave Civile të urdhërojë evakuimin e menjëhershëm të 20 familjeve që ndodhen brenda argjinaturës së lumit Vjosë, në fshatin Ferras, si masë parandaluese për shmangien e rrezikut për jetën.
Sipas banorëve, një prej familjeve ka pasur rreth 20 krerë lopë dhe viça të bllokuar në stallë nga uji, për çka është kërkuar ndihma e forcave të emergjencës për sigurimin e një mjeti lundrues, me qëllim evakuimin edhe të gjësë së gjallë.
Nga ana tjetër, bëhet me dije se një pjesë e banesave kanë qenë të pabanuara, pasi pronarët e tyre jetojnë në emigracion në vende të ndryshme të Europës.
Situata vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa strukturat e emergjencës mbeten në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm.
Lumi Vjosa ka kaluar kuotën e 9 metrave, duke arritur argjinaturën dhe rrezikuar përmbytjen e fshatrave Bishan dhe Fitore. Situata është alarmante: 14 shtëpi ndodhen nën ujë, mbi 150 hektarë tokë të mbjella janë përmbytur dhe janë raportuar dëme në bagëti.
Me urdhër të menjëhershëm ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa forcat e armatosura dhe emergjencat civile ndodhen në terren për të mbështetur operacionet. Parashikohet që reshjet e radhës dhe prurjet e lumit të rrisin më tej nivelin e ujit, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme.









