OP/ AN

Opozita mes hijes së verbër

Nga Adrian Rakipi/ Athinë, Greqi.

Vitet ecin dhe mazhoranca udhëheqëse e ka verbuar mendimin ndryshe përmes “surprizave” të dhunës hegjemonike dhe taktikave korruptive të ndjekura nga nxënësit e saj patronazhistë. Me kalimin e dekadave po krijohen forma hijesh në shoqërinë shqiptare, ku njeriu i sapodalë në jetë përvetëson domosdoshmërisht një mentalitet që në epiqendër ka dhunën shpirtërore — një dhunë që mban erë imponim dhe jo frymëmarrje të lirë.

Ngjyrat që kjo gjendje prodhon janë gri, në drejtim të errësirës, dhe shoqërohen me një qëndresë paralizuese të shoqërisë në tërësi. Bisedat mbeten të papërfunduara, të lodhshme, duke ushqyer dëshirën për t’u larguar sa më parë nga ai vend që mban emrin Shqipëri.

Roli qeveritar është i kuptueshëm në formën e tij: në emër të “zhvillimit”, kemi pushtimin e administratës nga rrogëtarë shtetërorë, ngritjen në piedestal të oligarkëve të quajtur “investitorë strategjikë”, mbytjen e kërkesave minimale të pensionistëve dhe trajtimin e patronazhistëve (një për çdo familje) si mekanizëm për mbirjen e korrupsionit. Një korrupsion që buron nga pak figura qendrore qeveritare, përfshirë Kryeministrin, dhe që krijon bindjen se kjo është e vetmja e vërtetë, i vetmi realitet.

Nga ana tjetër, dorëzimi i plotë i drejtësisë shqiptare tek “ndërkombëtarët”, konkretisht tek amerikanët, është pranuar pa rezistencë dhe pa debat të thellë shoqëror.

Në të ardhmen, kjo nuk do të jetë pa pasoja. Po ndërtohet një vend i kolonizuar, ku pasuritë kombëtare thjesht do të ndryshojnë administratorë, por jo zotërues. E dhimbshme mbetet fakti se fati ynë — fati i opozitës — nuk prodhon një alternativë bindëse, ku e drejta e pamohueshme të ketë jetë dhe peshë reale.

Kjo opozitë, pavarësisht emërtimit, nuk arriti të joshë institucionet akademike, shoqërinë civile, rininë dhe nevojat pa protokoll, por thelbësore për shoqërinë shqiptare. E humbur dhe në mbijetesë, ajo thjesht plotësoi numrat, duke realizuar dorëzimin përballë “surprizave” të të djallëzuarve, sytë e të cilëve shihnin vetëm euro dhe pagesa për të ruajtur pushtetin.

Të vërtetat që populli do të mësojë lidhen me nënshtrimin dhe me faktin se vendi nuk ishte i aftë të vetëqeverisej, për shkak të nivelit mendor dhe politiko-njerëzor të pasurisë së tij shoqërore.

Zgjidhja duket se ka marrë rrugën e saj: një ditë elita politike do të zhduket nga ky vend dhe njerëzit do të mbeten me një pasuri të vetme — krenarinë parahistorike dhe paaftësinë për të menduar për vendin, për atdheun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button