Zbardhet vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla njërit nga autorët iu sekuestruan 14 pasuri

Zbardhet vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, i njohur edhe si Edmond Hyka.
Policia njofton se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes, ndërsa është vënë në pranga një nga bashkëpunëtorët.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, u arrestuan shtetasit Xhino Ago dhe Kujtim Pisha, si edhe u shpallën në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola.
Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).
Marselo Arani, i shpallur në kërkim nga policia si një nga autorët e vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, është një emër i njohur për autoritetet. 32 vjeçari ishte në arrest shtëpie për pastrim parash, ndërkohë që në muajin qershor, Prokuroria e Elbasanit i sekuestroi 14 pasuri në pronësi të tij.
Bëhet fjalë për 12 automjete, 1 motor, 1 apartament dhe një biznes me fushë veprimtarie “Tregti automjetesh dhe dhënie mjetesh me qira” në Elbasan.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet rezultuan transaksione të shumta financiare që kishin lidhje me prostitucionin dhe u dokumentua se këto të ardhura të paligjshme pastroheshin në mënyrë të sofistikuar për t’u dukur ligjore përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

Njoftimi i Policisë
Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:
Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.











