Zjarr në një banesë dykatëshe në Fier-Shegan, shpëtohen në kohë dy bashkëshortë të moshuar

Një banesë dykatëshe është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të hëne në zonën e Fier-Sheganit, duke shkaktuar panik te banorët e lagjes. Në banesë jetonin dy bashkëshortë të moshuar, të cilët fatmirësisht u nxorën në kohë dhe nuk pësuan lëndime.
Sapo kanë konstatuar zjarrin, që dyshohet se ka nisur në katin e parë të banesës, familjarët kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës. Me ndihmën e të afërmve dhe fqinjëve, dy të moshuarit janë evakuuar në kohë nga shtëpia që po digjej.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse të Lushnjës, të cilat kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke parandaluar përhapjen e tyre në banesat përreth.
Gjithashtu, në vendngjarje ka shkuar edhe një autoambulancë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të dy bashkëshortëve, të cilët ndodhen jashtë rrezikut.
Sipas të dhënave paraprake nga shërbimi zjarrfikës i Lushnjës, shkaku i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Rrethanat e plota të ngjarjes po hetohen.









