AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Përmbytjet shkatërrojnë luleshtrydhet në Kashisht

Kultivuesit e luleshtrydheve në fshatin Kashisht, kërkojnë ndihmën e shtetit, pas përmbytjeve të ditëve të fundit. Dëmet shkojnë në 2 milionë lekë, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim nga shteti, pasi në të kundërt rrezikojnë falimentimin.

Pasojat e përmbytjeve të lumit Vjosë në fshatin Kashisht, pas tërheqjes së ujërave, rezultojnë katastrofike. Më të goditurit janë kultivuesit e luleshtrydheve, të cilët përllogarisin dëme që arrijnë në miliona lekë. Fermerët Kreshnik Kapaj dhe Genti Halilaj, ndodhen aktualisht në fazën e larjes së kulturave, të cilat janë mbuluar plotësisht nga balta e sjellë nga përmbytja.

Sipas tyre, dëmet e përllogaritura i kalojnë 2 milionë lekë. Si të mos mjaftonte kjo, ngrica që pasoi pas përmbytjeve ka sjellë shpenzime shtesë për mbulimin dhe mbrojtjen e serave. Fermerët kërkojnë njëzëri dëmshpërblim nga shteti, në të kundërt janë të rrezikuar nga falimentimi.

Ndërkohë, kryeplaku i fshatit Kashisht Ramadan Kapaj, bën me dije se deri tani janë përmbytur rreth 50 hektarë tokë bujqësore, të mbjella kryesisht me grurë-bazë ushqimore për bagëtitë e 18 fermerëve të zonës. Dëmet më të rënda, sipas tij, janë evidentuar në serat e luleshtrydheve, ku humbjet janë të mëdha.

Fermerët fajësojnë drejtpërdrejt ndërtimin pa kriter të argjinaturave dhe ngushtimin e shtratit të lumit Vjosë në zonën e urës së autostradës Fier-Vlorë, si shkak kryesor i përmbytjeve të përsëritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button