SPORT

“Seria A një ëndërr, CR7 idhulli im”/ Joi Nuredini flet për gazetarin Enriko Gaba

Të luash në ligat elitare të futbollit evropian është një ëndërr e bërë realitet, por dhe një shpërblim për punën, vendosmërinë dhe sakrificën. Joi Nuredini është një prej atyre që ia arriti, ku në moshën 18-vjeçare debutoi në Serinë A me Xhenoan.

Futbollisti shqiptar me origjinë nga Vlora të dielën bëri ëndrrën realitet duke luajtur në elitën e futbollit italian, në sfidën Parma-Xhenoa. Një arritje historike edhe për Shqipërinë, ku futbollistë në moshë kaq të re ngrenë lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare.

Gazetari i Euronews Albania, Enriko Gabaj zhvilloi një intervistë ekskluzive me Nuredinin, i cili foli rreth këtij momenti të veçantë.

Në moshën 18-vjeçare debutove në Serinë A, si u ndjeve?

Ishte një moment që e kisha pritur që kur isha i vogël, ishte një ndjenjë fantastike.

Çfarë të thanë shokët e skuadrës?

Të gjithë shokët erdhën tek mua për të më uruar, kjo më bëri shumë të lumtur.

Çfarë objektivash ke?

Kam shumë objektiva, por kryesori është të fitoj Topin e Artë.

A ke një idhull në futboll?

Idhulli im është Cristiano Ronaldo për vendosmërinë dhe disiplinën e tij, ai është një shembull për të gjithë.

Si të është dukur rrugëtimi i Shqipërisë drejt Kupës së Botës?

Nuk mund t’ju them, para së gjithash shpresoj që të kalojnë Play-Off edhe pastaj do të shohim nga atje.

Joi Nuredini ka dhe një falenderim për të gjithë tifozët dhe për urimet e tyre për këtë hap të rëndësishëm në karrierë.

Nuk do të jetë e largët dita kur ky futbollist të mbajë veshur fanellën e kombëtares shqiptare dhe të jetë pjesë e sukseseve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button