EKONOMITOP-NEWS

Shoqata e Prodhuesve të Bukës ngre alarmin: S’ka më specialistë, të huajt nuk bëjnë

Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave ngre alarmin për mungesën e theksuar të fuqisë punëtore në furrat e bukës në vend. Sipas përfaqësuesve të saj, sektori po përballet me një krizë serioze, ndërsa zanatet tradicionale rrezikojnë të zhduken.

Kryetari i shoqatës, Gëzim Peshkëpia, shprehet se sot është gjithnjë e më e vështirë të gjesh specialistë të mirëfilltë të bukëbërjes.

“Nuk ka më specialistë për përgatitjen e bukës së misrit apo të grurit. Po humbet edhe zanati i bukës së qiqrës, sidomos në zonën e Korçës”, thekson ai.

Kryetari i shoqatës së prodhuesve të bukës thotë se furrat e prodhimit të këtij produkti të rëndësishëm për tryezat shqiptare kanë nevojë urgjente për bukëbërës të kualifikuar, ndërsa interesi i të rinjve për këtë profesion është në rënie të vazhdueshme. Për këtë arsye, shoqata i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë me politika mbështetëse konkrete.

“Ne e kemi kërkuar sepse siguracionin ta marrë përsipër shteti është një mbulim edhe 1% mund ta marri. Le t’i jepet sa punonjës furre ka një furrë buke? Ka tre punonjës. Për këta tre punonjës sa paguhen? Paguhet me kaq lekë. Sipas deklarimit të jepet 15%-20% të pagës të subvencionohen nga shteti”, shprehet ai.

Ai shton se zgjidhja nuk qëndron te punësimi i fuqisë punëtore nga jashtë, pasi sektori kërkon specialistë të mirëformuar.

“Marrja e fuqisë punëtore nga jashtë nuk na i plotëson kushtet e specialistit që kërkojmë ne.Specialistët e mrë dhe këtu në Tiranë janë më gishta. Neve mezi i kërkojmë mezi i gjejmë që kanë rroga mbi 1 milion e gjysëm specialistët e mirë që bëjnë bukë të mira apo bukët speciale me përbërës të ndryshëm të cilët kërkohen”, tha ai.

Të dhënat për arsimin profesional e përforcojnë më tej shqetësimin. Sipas shoqatës, numri i nxënësve që ndjekin degën “Teknologji ushqimore” ka rënë me rreth 70% krahasuar me vitin shkollor 2018-2019. Ndërsa për profilin Bukë-Pastiçeri, pothuajse nuk ka fare regjistrime.

Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se nëse kjo prirje vazhdon, jo vetëm që do të thellohet mungesa e fuqisë punëtore, por do të rrezikojnë të zhduken edhe tradita të vyera të bukëbërjes shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button