Zona e Fierit zgjohet mes mjegullës së dendur, policia njofton drejtuesit e mjeteve për kujdes

Qendra e qytetit, por edhe zonat w tjera të Fierit janë zgjuar këtë mëngjes të mbuluara nga një mjegull e dendur, e cila ka vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve. Dukshmëria ka qenë e reduktuar në disa akse kryesore rrugore, sidomos në drejtim të Vlorës, Tepelenës, Lushnjës dhe Tiranës.
Sipas të dhënave nga terreni, mjegulla ka krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve, ndërsa lagështia në asfalt rrit rrezikun e rrëshqitjes dhe përplasjeve të mundshme. Në disa segmente, automjetet janë detyruar të lëvizin me shpejtësi të reduktuar për shkak të pamjes së kufizuar.
Policia Rrugore ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes. Autoritetet u kërkojnë drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të mbajnë distancën e sigurisë me automjetin përpara dhe të shmangin parakalimet e rrezikshme.
Ndërkohë, drejtuesit këshillohen të përdorin dritat e mjegullës dhe të ulin shpejtësinë, për të shmangur ngjarje të padëshiruara në rrugë. Situata pritet të përmirësohet me rritjen e temperaturave gjatë orëve në vijim.









