AKTUALITETTOP-NEWS

Ja manipulimet e Ceno Klosit në bashkëpunim me partinë e Tom Doshit për votat e imunitetit të Belinda Ballukut

Sipas shumë informacioneve dhe raportimeve të ditëve të fundit të premten në Këshillin Bashkiak Fier, socialistët kanë vendosur të ndryshojnë kryetarin e grupit të këshilltarëve Znj. Evis Sema që njëkohësisht është edhe kryetare e Këshillit të Qarkut Fier. Ajo është zëvendësuar me këshilltarin tjetër Marius Voja. Në pamje të parë kjo mund të duket dicka normale dhe e zakonshme por kjo lëvizje fsheh brenda saj disa raporte apo aleanca të cilat qëllimin final e kanë në Tiranë. Burime nga brenda këshillit pohojnë se ka kohë që në këshillin bashkiak të Fierit është shfaqur hapur një aleancë midis Ceno Klosit jo vetëm deputet i Fierit por edhe si delfini apo përmbyllësi i punëve të Belinda Ballukut në të gjithë Shqipërinë dhe një grupi këshilltarësh të partisë së Tom Doshit dhe PD-së. Rasti i fundit tregon për një koordinim lëvizjesh mes tyre. Nëse gjërat do ishin kaq thjesht dhe do mjaftoheshin vetëm me këshilltaren e Fierit nuk do përbënte ndonjë interes për gazetën tonë dhe lexuesit tanë por po ta analizosh më në thellësi rastin dalin qartë në pah disa çështje.

Pazaret

Aleanca e këtyre ditëve në Fier në fakt rrënjët i ka në Tiranë dhe është treguesi i parë që na sinjalizon se si do votojnë deputetët e Tom Doshit në rastin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Mesa duket marrëveshja është arritur dhe tashmë votimi është thjesht një formalitet. A duhet të shqetësohen dhe a duhet ta investigojnë me kujdes rastin e Fierit dhe më tej votimin në parlament aleatët tanë amerikanë, britanikë dhe sidomos gjermanë të cilët jo vetëm kanë kontribuar ndjeshëm në zbulimin e aferave të Belinda Ballukut por edhe po bëjnë çdo përpjekje për të çuar deri në fund përgjegjësinë e saj para ligjit duke kërkuar me forcë heqjen e imunitetit të saj nga parlamenti. Kushti që i është vënë qeverisë shqiptare në këtë pikë është aq i fortë dhe i panegociueshëm sa që rrezikon ngrirjen e negociatave me BE-në. SPAK-u duhet të hetojë a ka një aleancë Balluku- Klosi- Doshi për të shpëtuar Belinda Ballukun nga heqja e imunitetit me votimin në Parlament?

Investigimi

Shumë portale por edhe agjenci lajmesh kanë raportuar këto ditë edhe një fakt që vlen të analizohet. Marius Voja që është vendosur në krye të grupit socialist është nipi i deputetes Antoneta Dhima. Redaksia jonë e investigoi rastin nëse kjo është e vërtetë apo jo. Nga shumë burime madje edhe nga disa këshilltarë socialistë ky informacion rezulton i vërtetë. Marius Voja është përfaqësues i zonës së Semanit në këshillin bashkiak Fier dhe nipi (djali i kushëririt të parë) të deputetes Antoneta Dhima. Redaksia e gazetës mësoi se ai punon në një “vend pëllumbash” siç u shpreh një nga burimet tona te Drejtoria e Patentave në Fier. A përbën ky rast një sinjal alarmi për kryeministrin Edi Rama. Disa burime të kontaktuara nga ne për rastin në fjalë na sollën informacion edhe se vëllai i tij Arben Voja është drejtori i spitalit rajonal të Fierit. E verifikuam dhe është e vërtetë.

Ky rast meriton një investigim më të plotë dhe të thelluar për “meritat” e nipit tjetër të Antoneta Dhimës në krye të spitalit Fier të cilin gazeta jonë do ta bëjë në ditët në vijim. Këshilltarë socialistë të kontaktuar nga ana jonë duke kërkuar të mbeten anonimë (edhe kjo është fatale për nivelin e demokracisë ku edhe të zgjedhurit e popullit kanë frikë të flasin) kanë shpjeguar se ata janë thirrur në selinë e PS nga deputeti Ramion Kurti dhe u është kërkuar të firmosin një dokument ku do të bëhej ky zëvendësim. Ky është vendim politik i drejtueses politike dhe bëhet sepse Evis Sema ka kaluar vijën e kuqe. Se kush ishte vija e kuqe që kishte kaluar Evis nuk na u tha në atë gjë,- u shpreh një nga këshilltarët por duke parë edhe mënyrën se si u zhvillua mbledhja e këshillit lëvizja ishte e koordinuar me grupin e këshilltarëve të PSD-së të partisë së Tom Doshit të përfaqësuar nga K. Dapi. Unë nuk pranova të firmosja shprehet një burim tjetër dhe mua nuk kanë çfarë të më bëjnë se s’kam asnjë në shtet por di që disa kolegëve të mi u është bërë presion me vendet e punës së tyre, të bashkëshortëve, fëmijëve apo njerëzve të tjerë të afërm. Kjo është një frymë e pisët dhe shumë e ulët që është futur në PS nga këta deputetë në drejtimin e dyshes Balluku-Klosi për të shtënë në dorë çdo cep të pushtetit të PS në Fier. Shumë socialistë janë të zhgënjyer dhe të injoruar sidomos pas zgjedhjeve. Për këdo në Fier është e qartë që ky veç të tjerash është edhe sulm për të kontrolluar bashkinë e Fierit dhe këshillin bashkiak të saj në vendimmarrjet e veta”, u shpreh një nga këshilltarët.

Çfarë ka nodhur?

Ndërkohë kujtojmë se disa ditë më parë Këshilli i Rregullores së Mandateve dhe Imunitetit shqyrtoi kërkesën e Prokuroria e Posaçme (SPAK) për arrestimin e zv/kryeministres së pezulluar, njëherësh ministres së Transporteve dhe Energjisë, Belinda Balluku, pozita e së cilës, siç thanë prokurorët specialë, është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg. “Në situatën kur i kërkuar masa e parë ndaj znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës”, mësohet të jetë shprehur dje para anëtarëve të Këshillit të Imuniteteve kreu i SPAK, Klodjan Braho. Partia Socialiste dhe Partia Demorkatike do të dalin me dy raporte, që pritet të hidhen në votim seancën e 5 marsit.

Socialistët duket se nuk do ta lejojnë arrestimin e Ballukut. zv/kryeministrja Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, ku pas dy muajsh u shqyrtua kërkesa e SPAK për arrestimin e saj. Balluku dërgoi në mbledhje dy avokatët e saj, të motrën Pamela Qirko dhe Ardian Kalijan, ndërsa SPAK u përfaqësua nga drejtuesi Klodjan Braho dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Mbledhja që zgjati 5 orë, u zhvillua me dyer të mbyllura pas kërkesës së SPAK se materialet përbëjnë sekret hetimor. Kërkesë kjo që krijoi përplasje mes PD dhe PS. Gjithashtu, kujtojmë Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe. Mbledhja e Këshillit të Mandateve erdhi pasi Kushtetuesja nuk arriti shumicën për rastin Balluku dhe u nda 4-4 duke rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe lënë në fuqi masën e pezullimit. Pasi Kuvendi të shprehet për kërkesën e SPAK, socialistët do të vijojnë me ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilave synohet që gjykatat të mos pezullojnë dot edhe Presidentin, kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit dhe Kreun e KLSH./SOT.com.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button