Goditi të shoqëruarin ně komisariat me pretendimin se i kishte ofenduar gruan, pezullohet nga detyra polici në Fier

Një punonjës i Policisë së Shtetit është pezulluar nga detyra pas një incidenti të ndodhur në ambientet e Stacionit të Policisë në Patos.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka vendosur pezullimin nga detyra të inspektorit me inicialet K. Gj., me funksion trupë shërbimi operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtoria Vendore e Policisë Fier.
Vendimi është marrë pasi më 21 shkurt 2026, punonjësi i policisë dyshohet se ka goditur një shtetas të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Patos. Sipas informacionit paraprak, incidenti ka ndodhur me pretendimin se i shoqëruari ishte përfshirë më herët në një konflikt në një market në Patos me disa persona dhe, gjatë përplasjes, kishte ofenduar bashkëshorten e punonjësit të policisë, e cila ishte punonjëse në atë market.
Ndërkohë, krahas hetimit administrativ të nisur nga Policia e Shtetit, hetimet penale po vijojnë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet bëjnë me dije se, në përfundim të hetimeve, do të merren masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi. Njoftimi
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezullon nga detyra punonjësin e Policisë, Inspektor K. Gj., me detyrë Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier.
Ky vendim ka ardhur pasi inspektori më datë 21.02.2026, dyshohet se ka goditur një shtetas të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Patos, me pretendimin se i shoqëruari ishte konfliktuar në një market në Patos me disa persona dhe, gjatë konfliktit, kishte ofenduar bashkëshorten e shtetasit K. Gj., e cila ishte punonjëse e marketit.
Krahas hetimit administrativ që po kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal.









