Sam Asghari reagon ndaj arrestimit të Britney Spears

Ish-bashkëshorti i Britney Spears, Sam Asghari, pranoi se “njerëzit bëjnë gabime” pas arrestimit të këngëtares për drejtim mjeti në gjendje të dehur në Kaliforni të mërkurën në mbrëmje.
Modeli dhe trajneri i fitnesit, 32 vjeç, foli për arrestimin e ish-partneres së tij gjatë një interviste për Fox News të premten.
“Kur bëhet fjalë për faktin që njerëzit bëjnë gabime, unë e kuptoj këtë, por mendoj se të gjithë meritojnë privatësi dhe shpresoj që media të ketë mësuar nga e kaluara dhe t’i japë asaj privatësinë që i nevojitet,” tha Asghari.
Këngëtarja e hitit “Toxic” dhe Asghari u martuan në qershor të vitit 2022 pas disa vitesh lidhjeje. Ata u ndanë vetëm 14 muaj më vonë mes akuzave për tradhti dhe sjellje të paqëndrueshme, ndërsa divorci u finalizua në maj të vitit 2024.
Pavarësisht martesës së shkurtër dhe marrëdhënies së trazuar, Asghari tha se do të ketë gjithmonë ndjenja për të.
“Martesa jonë ishte shumë reale për mua,” tha ai në një intervistë për People në gusht të vitit 2025. “Mund të ketë qenë e shkurtër, por ne ishim bashkë për shtatë vite. Isha i dashuruar me të, do të kem gjithmonë dashuri për të dhe i uroj më të mirat.”
Ndërkohë, Spears, 44 vjeç, u arrestua pasi u pa duke lëvizur në mënyrë të rrezikshme me makinën e saj BMW në trafik në Kaliforni.
Sipas raportimeve, ajo u ndalua nga policia në Ventura County rreth orës 21:28 dhe më pas u dërgua në spital për analiza gjaku për të përcaktuar nivelin e alkoolit në gjak, përpara se të lirohej nga paraburgimi të enjten në mëngjes.
Autoritetet kanë deklaruar se këngëtarja dyshohet të ketë qenë nën ndikimin e një kombinimi droge dhe alkooli në momentin e arrestimit.
Menaxheri i saj prej kohësh, Cade Hudson, e quajti ngjarjen “një incident fatkeq dhe të pajustifikueshëm”, duke shtuar se Spears do të marrë hapat e duhur për të respektuar ligjin dhe për të kërkuar ndihmë. Spears pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj.
Pas arrestimit reagoi edhe ish-bashkëshorti tjetër i saj, Jason Alexander, i cili i kërkoi publikut të mos e gjykojë menjëherë këngëtaren.
“Thashethemet përhapen më shpejt se faktet dhe papritur dikush gjykohet para se e vërteta të bëhet e qartë. Britney Spears meriton të njëjtën gjë si kushdo tjetër: fakte, drejtësi dhe proces të rregullt ligjor,” shkroi ai në rrjetet sociale.











