Tentuan të vrisnin një person për hakmarrje 6 vite më parë, dënohen me 20 vite burg autorët

Tentuan të vrisnin për hakmarrje shtetasin A.H, dënohen me kërkesë të Prokurorisë Fier 20 vjet burgim shtetasit A.G. dhe V.D
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier u shpallën fajtorë dhe dënuan me 20 vjet burg secili të pandehurit V.D alias L dhe A.G. për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 1795 viti 2019, u arrit të provohet se, i pandehuri V.D alias L., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij G.L., ka bashkëpunuar me të pandehurin A.G për të kryer vrasjen e shtetasit A.H. Për këtë qëllim, në datë 30.12.2019, rreth orës 17:50 min, në vendin e quajtur “Dukas-Breg”, Patos, i pandehuri A.G., pasi është siguruar për identitetin e shënjestrës, është afruar dhe ka shtënë tre herë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e sulmit ka mbetur i plagosur shtetasi A.H. duke u dëmtuar me armë në krahun e majtë.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.









