BOTA

Gjykata franceze anulon dëbimin e shqiptarit, por familja nuk e di kur do kthehet

Gjykata Administrative e Besançon në Francë ka anuluar vendimin për dëbimin drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Fatjon Salihi. Ai u largua nga Franca më 23 shkurt 2026 sipas një vendimi të prefekturës së Jura. Sipas mediave franceze, gjykata vendosi më 5 mars të anulojë të gjitha vendimet e prefekturës lidhur me këtë dëbim. Megjithatë, familja e tij ende nuk e di se kur dhe si ai do të mund të rikthehet në Francë.

Dëbimi i tij shkaktoi reagime dhe emocione në komunitet. Më 23 shkurt, Fatjon Salihi u dëbua në Shqipëri, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, 6 dhe 4 vjeç, si edhe një kontratë pune të përhershme si shef kantieri.

Ai dhe bashkëshortja e tij Berina Salihi kishin mbërritur në Francë në vitin 2021. Që atëherë, Fatjoni punonte në kompaninë e ndërtimit “RP Routes”, ku kishte avancuar gradualisht deri në pozicionin e shefit të kantierit, një profesion për të cilin kompanitë e ndërtimit kanë vështirësi të gjejnë punonjës. Çifti ka dy fëmijë: djali i madh, 6 vjeç, ka lindur në Shqipëri, ndërsa vajza 4-vjeçare ka lindur në Francë. Familja jetonte në Andelot-en-Montagne.

Sipas përfaqësuesve të shoqatës Ajir (Accueil Jurassien Intercommunautaire de Réfugiés), e cila po ndihmon familjen, vendimi i gjykatës është një lajm i mirë, pasi janë anuluar të gjitha masat: detyrimi për të lënë territorin francez, ndalimi i rikthimit, refuzimi i afatit për largim vullnetar dhe masa e qëndrimit të detyruar. Megjithatë, sipas tij, situata ende mbetet e pasigurt.

Image

“Dy fëmijët e tyre nuk flasin shqip, gjë që tregon dëshirën e tyre për t’u integruar”, – tha ai. Ai shtoi gjithashtu se Salihi ka edhe familjarë të vendosur prej kohësh në Francë, përfshirë një motër që tashmë ka marrë shtetësinë franceze. Bashkëshortja e tij shprehet se largimi i papritur ka lënë familjen pa të ardhura.

“Ai më mungon shumë, u mungon edhe fëmijëve,’ tha Berina Salihi, duke shtuar se dëshiron që ai të kthehet sa më shpejt pranë familjes së tij. Ndërkohë, nuk është e sigurt nëse ai ka marrë pasaportën e tij, e cila sipas raportimeve mund të jetë dorëzuar nga autoritetet franceze tek autoritetet shqiptare. Punëdhënësi i tij, Pascal Guinchard, ka deklaruar se vendi i punës i është ruajtur.

“Ne e kemi trajnuar dhe ai është një punonjës shumë i mirë. Po presim me padurim rikthimin e tij” u shpreh ai. Prefektura e Jura nuk ka komentuar mbi këtë çështje, por ka dy muaj kohë për të vendosur përfundimisht mbi të ardhmen e Fatjon Salihit dhe familjes së tij. Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij ndodhet nën një urdhër për largim nga territori francez dhe shprehet e shqetësuar për të ardhmen. “Ne duam vetëm që ai të kthehet dhe të punojë, që të mos kemi më nevojë për ndihmë” – tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button