AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Shpopullimi i fshatrave çon në rënie dhe zhdukje të blegtorisë në Myzeqe

Fier – Fshatrat nuk janë shpopulluar vetëm nga ikja në emigrim dhe lëvizjet demografike të banorëve, por edhe nga rënia e blegtorisë.  Dikur, vite më parë, në stinën e Pranverës tokat e Myzeqesë gjallonin nga bagëtitë, nga dhentë dhe tufat që vinin nga malësia dhe veriu për të dimëruar në këto toka pjellore.

Sot, jo vetëm që ato mungojnë, por janë mbyllur edhe stanet  dhe stallat që dikur funksiononin në këtë zonë.

Blegtorët dhe banorët e zonës thonë se shkaku kryesor është çmimi shumë i ulët i qumështit. Një litër qumësht deleje grumbullohet me 120 lekë, ndërsa qumështi i lopës meret nga grumbulluesit me 55 lekë për litër në treg.

Kjo ka bërë që disa ta shesin qumështin me shishe plastike në kryqëzim rrugësh në qytet. Diferenca dhe fitimi i ulët kanë bërë që shumë stane të mbyllen ose të ulin ndjeshëm numrin e krerëve të gjedhit dhe të dhenve.

Një tjetër problem mbetet edhe vonesa në dhënien e subvencioneve, ndërkohë që çmimet e bazës ushqimore për bagëtitë janë rritur ndjeshëm.

Blegtorët shprehen se vështirësitë ekonomike kanë bërë që ky sektor të mos jetë më i leverdishëm.

Nga ana tjetër, të rinjtë nuk kanë më dëshirë të merren me blegtori. Shumë prej tyre zgjedhin të largohen drejt emigracionit në kërkim të një jete më të mirë.

Të gjithë këta faktorë, sipas banorëve të zonës dhe atyre pak blegtorë të mbetur, po çojnë gradualisht në zhdukjen e blegtorisë në Myzeqe, një aktivitet që dikur ishte ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së kësaj zone./ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button