Studimi/ Truri konsumon vetveten nga pagjumësia

Sipas një studimi të publikuar në Journal of Neuroscience, truri fillon “ta konsumojë vetveten” kur mungesa e gjumit është e theksuar.
Studiuesit në Universitetin Politeknik të Marche-s në Itali zbuluan se mungesa e zgjatur e gjumit shkakton rritje të aktivitetit të qelizave të trurit të quajtura astrocite, të cilat zakonisht ndihmojnë në pastrimin e lidhjeve nervore të panevojshme. Por në trurin e privuar nga gjumi, këto qeliza fillojnë të shpërbëjnë edhe sinapset e shëndetshme.
Edhe më shqetësuese është se studimi tregoi se edhe qelizat mikrogliale, të cilat kanë rol mbrojtës ndaj infeksioneve në tru, bëhen më aktive gjatë mungesës së gjatë të gjumit. Ky hiperaktivitet i ngjan fazave të hershme të sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimer-i, duke sugjeruar se mungesa kronike e gjumit mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në tru.








