Ja si u arrestua Ervin Mata në Brazil (video)

I shumëkërkuari shqiptar Ervin Mata është arrestuar që ditën e shtunë në Ilhabela, në bregdetin e São Paulo në Brazil. Mediat vendase e kanë raportuar gjerësisht lajmin ndërsa policia shqiptare e bëri të ditur atë vetëm në mbrëmjen e kësaj të hëne.
Ndaj 39-vjeçarit kishte një urdhër arresti për trafik ndërkombëtar droge. Ervin Mata ishte në arrati që nga shtatori i vitit 2025, i akuzuar nga autoritetet shqiptare për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
CNN Brazil” citon një deklaratë të Policisë Ushtarake se “manjati u gjet pasi informacionet e inteligjencës treguan se ai ishte zhvendosur nga rajoni Baixada Santista në Bregun Verior. Gjatë patrullimit, i dyshuari u gjet në një biznes dhe u dërgua në Stacionin Federal të Policisë në São Sebastião. Gjatë operacionit, u sekuestruan dy telefona celularë dhe dokumente që i përkisnin individit të kërkuar” – citohet në deklaratë.
Ervin Mata ishte në kërkim ndërkombëtar që nga nëntori i vitit 2023. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti parandalues edhe nga autoritetet braziliane (Gjykata Federale Supreme) në vitin 2025. Vendimi u mor më 11 mars të atij viti, por u dekretua vetëm më 23 shtator.
Ai tashmë përballej me akuza në Shqipëri për trafik droge , pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shoqatë kriminale. Hetimet e qeverisë shqiptare tregojnë se ai koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020.









