Trabzonspor i cilëson si “vepër arti” veprimet spektakolare të Ernest Muçit (video)

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren e Trabzonspor në javën e 26-të të Superligës turke ndaj Rizespor.
Mesfushori ofensiv shqiptar spikati në minutën e 51-të me një aksion individual shumë cilësor që çoi në golin vendimtar të takimit. Muçi kontrolloi një pasim të gjatë, kaloi me shpejtësi mbrojtësin kundërshtar dhe depërtoi në zonë.
Aty realizoi një driblim spektakolar, duke lënë të shtrirë në tokë rivalin, përpara se të dërgonte një krosim të saktë për Oleksandr Zubkov. Ky i fundit e ktheu topin në qendër të zonës, ku Paul Onuachu e shtyu në rrjetë për golin që vendosi fatin e ndeshjes.
Aksioni i bukur i Muçit u vlerësua edhe nga vetë klubi i Trabzonsporit, i cili në rrjetet sociale e cilësoi lëvizjen e shqiptarit si një “vepër arti”. Sezoni aktual po rezulton mjaft pozitiv për 23-vjeçarin, i cili numëron deri tani 13 gola dhe 8 asistime me fanellën e Trabzonsporit.









