POLITIKËTOP-NEWS

PD bojkoton seancën e nesërme në Kuvend

Partia Demokratike nuk do të marrë nesër pjesë në seancën plenare.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në atë që ai e cilësoi si një seancë “të paligjshme”, e thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas Bardhit, seanca është thirrur jashtë ditës normale të zhvillimit të saj, që është e enjtja, dhe me një rend dite minimal që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së martë, një seancë e paligjshme, e thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit, jashtë ditës normale të saj (e enjte) dhe me Rend Dite: miratim procesverbali dhe njoftime.

Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit.

Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik.

Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve.

Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit. Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button