BOTA

Axios: Irani dhe SHBA po shkëmbejnë mesazhe në prapaskenë

Një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi është riaktivizuar ditët e fundit. Lajmin e ka dhënë agjencia Axios që citon një zyrtar amerikan dhe një burim me njohuri për çështjen. Ky është komunikimi i parë i njohur i drejtpërdrejtë midis dy palëve që nga fillimi i luftës më shumë se dy javë më parë.

Sipas të njëjtave burime, Araghchi i dërgoi mesazhe të shkruara Wittkoff që përqendroheshin në përfundimin e luftës. Nuk është e qartë se sa mesazhe u shkëmbyen ose përmbajtja e tyre e saktë. Një zyrtar amerikan tha se ministri i jashtëm iranian ishte përpjekur të hapte kanalin e komunikimit, por shtoi se SHBA-të “nuk po flisnin” me Iranin.

Më herët, Donald Trump ka thënë se Irani ka kontaktuar SHBA-në, por shtoi se nuk ishte e qartë nëse zyrtarët iranianë të përfshirë kishin autoritetin për të negociuar. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Po flasin me njerëzit tanë, kemi njerëz që duan të negociojnë, por nuk kemi idenë se kush janë ata”, – tha ai.

Pavarësisht dyshimeve të tij nëse Teherani është gati për një marrëveshje, ai tha se nuk është kundër bisedimeve “sepse ndonjëherë prej tyre mund të dalin gjëra të mira”.

Një zyrtar i lartë amerikan hodhi poshtë kërkesën e Iranit për “kompensime” si pjesë të një marrëveshjeje paqeje, por vuri në dukje se Trump mbetet i hapur për një marrëveshje që do t’i lejonte Iranit “të ribashkohej me ekonominë globale dhe të fitonte para nga nafta e tij”.

Nga ana e tyre, zyrtarët iranianë kanë deklaruar publikisht ditët e fundit se nuk po zhvillohen negociata për armëpushim me administratën Trump.

Ata argumentojnë se Teherani nuk është i interesuar për një armëpushim të përkohshëm që do t’u lejonte SHBA-ve dhe Izraelit të riorganizoheshin, por po kërkon garanci se çdo marrëveshje paqeje do të jetë e përhershme.

Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Araghchi ka autoritet të plotë vendimmarrës. Megjithatë, ata besojnë se ai po koordinohet me Ali Larijani, sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili thuhet se ka marrë një rol politik de facto pas vrasjes së ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button