Breshëri dhe moti i keq shkaktojnë dëme të mëdha në disa fshatra në luginën e Vjosës, goditen vreshtat dhe pemëtaritë

Cakran – Moti i përkeqësuar dhe reshjet e dendura të breshërit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dusa fshatra të luginës së Vjosës, duke prekur veçanërisht sektorin e bujqësisë. Sipas burimeve nga terreni, stuhia e breshërit ka qenë e fortë dhe e papritur, duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë sipërfaqe të tëra të mbjella.
Raportohet se reshjet e breshërit kanë rënë me intensitet të lartë në toka bujqësore dhe në vreshta, duke dëmtuar prodhimin në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të bimëve.
Dëmet më të mëdha janë evidentuar në pemëtari dhe vreshtari, ku shumë fermerë rrezikojnë të humbasin një pjesë të konsiderueshme të prodhimit sezonal.
Burime lokale bëjnë me dije se breshëri ka dëmtuar lulet në pemë, ka rrëzuar lulëzimet dhe në disa raste ka lastarët e degëve të pemëve dhe hardhive, duke sjellë pasoja që mund të ndikojnë jo vetëm këtë sezon, por edhe prodhimin e viteve në vijim.
Ndërkohë, përfaqësues vendorë pritet të ngrenë një komision të posaçëm për verifikimin e dëmeve në terren. Qëllimi i këtij procesi është evidentimi i plotë i situatës dhe vlerësimi i humbjeve të fermerëve, me synimin për të mundësuar mbështetje dhe kompensim për të prekurit.
Banorët e zonës në fshatrat Adë, Cakran dhe Vreshtas shprehen të shqetësuar për situatën, duke theksuar se fenomene të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe po rëndojnë ndjeshëm ekonominë e tyre, e cila mbështetet kryesisht te bujqësia.
Dëmet e shkaktuara nga moti i keq rikthejnë në vëmendje nevojën për masa mbrojtëse në bujqësi dhe politika më të forta mbështetëse për fermerët, në mënyrë që të përballojnë situata të tilla të paparashikueshme.









