Antonio Banderas braktis Hollywood: Më ka ndryshuar jeta

Aktori i njohur spanjoll Antonio Banderas ka braktisur jetën luksoze të Hollywood-it dhe thotë se nuk ka asnjë pendesë, gati një dekadë pas vendimit të madh që ndryshoi jetën e tij.
Aktori 65-vjeçar u rikthye në qytetin e tij të lindjes, Málaga, në vitin 2017, pas një ataku në zemër që ai e përshkroi si një paralajmërim serioz.
“Ishte një sinjal shumë i fortë për mua. Më ndryshoi mënyrën si e shoh jetën,” u shpreh Banderas në një intervistë për “The Times”.
Para kësaj ngjarjeje të rëndë shëndetësore, aktori jetonte mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke zotëruar edhe një vilë luksoze në Surrey.
Pas rikuperimit, ai ndërmori ndryshime drastike: la duhanin, shiti avionin privat dhe u kthye përfundimisht në Spanjë, ku bleu edhe një teatër.
“Kur përballesh me vdekjen, fillon të reflektosh dhe kupton se në thelb je ai që ke qenë gjithmonë. Unë jam aktor teatri,” tha ai.
Sot, Banderas jeton një jetë më të thjeshtë në Málaga, së bashku me partneren e tij Nicole Kimpel, dhe është i angazhuar në disa biznese restorantesh. Megjithatë, projekti i tij më i dashur mbetet teatri jofitimprurës “Teatro del Soho”.
“Nuk kam qenë kurrë më i lumtur,” theksoi ai.









