POLITIKËTOP-NEWS

Kalkulimi politik/ Braçe, Majko dhe Spiropali kundër vijës së PS?

Në politikë, lëvizjet më të rrezikshme nuk janë ato që shpallen me bujë, por ato që ndërtohen në heshtje. Një kandidim i mundshëm i Erion Braçes për Bashkinë e Tiranës, jashtë miratimit të Edi Ramës dhe vijës zyrtare të Partia Socialiste e Shqipërisë, do të ishte pikërisht një nga ato zhvillime që nuk tronditin menjëherë, por që mund të ndryshojnë rrjedhën e një gare.

Tirana nuk është një bashki si gjithë të tjerat. Është terreni ku balancat politike janë të brishta dhe ku vota nuk është thjesht partiake, por shpesh edhe personale. Në këtë realitet, çdo përçarje brenda së majtës nuk është thjesht një debat i brendshëm, por një rrezik elektoral konkret. Një kandidaturë paralele do të thotë dy zëra që kërkojnë të njëjtën votë, dy narrativa që përplasen dhe një elektorat që ndahet.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi: Braçe nuk ka nevojë të fitojë për të qenë faktor. Mjafton të marrë vota sa për të rrëzuar kandidatin zyrtar të PS. Nëse ai arrin të tërheqë një pjesë të elektoratit socialist – qoftë edhe të pakënaqur apo protestues – efekti është i drejtpërdrejtë: dobësim i kandidatit zyrtar të PS dhe hapje e rrugës për kundërshtarin. Në një qytet si Tirana, ku diferencat mund të jenë të vogla, kjo është më shumë se e mjaftueshme për të humbur.

Historia e tij e fundit politike e bën këtë skenar edhe më të besueshëm. Zhvendosja nga Lushnja në Tiranë u interpretua si një sfidë e vështirë për Braçen, madje nga disa si një mënyrë për ta dobësuar. Por rezultati tregoi të kundërtën: ai mori vota personale dhe dëshmoi se ka një bazë reale mbështetjeje edhe jashtë bastioneve tradicionale. Kjo e kthen atë nga një figurë kritike brenda partisë në një aktor me potencial elektoral të pavarur.

Këtu lind pyetja që qarkullon në mënyrë të heshtur: a është një kandidim i tillë një formë hakmarrjeje e ftohtë ndaj Ramës? Është një interpretim që ka logjikën e vet politike. Në një sistem ku vendimmarrja është e centralizuar, çdo dalje jashtë linjës mund të lexohet si reagim ndaj mënyrës se si janë menaxhuar raportet e brendshme.

Por ka edhe një lexim tjetër, më racional: një kandidim i tillë mund të jetë një lëvizje për të ndërtuar një profil të pavarur politik. Jo domosdoshmërisht kundër Ramës, por përtej tij. Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë me emocion, por me kalkulim.

Megjithatë, përtej motiveve, ajo që ka rëndësi është efekti. Një kandidim i tillë nuk do të sillte kaos vetëm në procesin e votimit, por do të krijonte një turbullirë të fortë politike brenda së majtës. Dhe në politikë, shpesh herë kjo mjafton.

Sepse zgjedhjet nuk humben gjithmonë nga forca e kundërshtarit. Shpesh humben nga dobësia e vetes. Dhe nëse vota e majtë ndahet në Tiranë, atëherë rreziku për humbjen e Bashkisë nga PS nuk është më një skenar teorik, por një mundësi reale.

Ose mund të jetë një kalkum brilant dinak që në zgjedhjet e tjera parlamentare të vitit 2029 nuk ka asnjë shans që të futet më në listën e PS, ndaj Braçe duke patur dhe një mbështetje të heshtur të Elisa Spiropalit, e cila ka filluar të hedhë “shqelmat” e parë publikisht kundrejt kryeministrit, “Skënderbeut” të saj, shoqeruar edhe me disa kuota të Pandeli Majko, që mbeti jashtë parlamentit, por që nuk spostohet kollaj nga PS; pa harruar disa deputetë nën zë socialistë të pakënaqur që Rama po bën ministra njërëz të panjohur, sipas tyre, atëhere Erion Braçe po gatuan një parti të re, bile ekstra socialiste.

Kjo nuk e sakaton Edi Ramën si pushtet, por i heq numrin 82 deputetë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button