Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” protestë në Fier: “KOKSh po na pengonë të marrim pjesë në garat ndërkombëtare”

Fier – Anëtarë të shoqatës “Pëllumbat e Postës 2003” kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme në Fier, duke ngritur shqetësimin se po pengohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare jashtë vendit.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, shkak është bërë një shkresë zyrtare e dërguar nga KOKSH drejt doganave, ku pretendohet se anëtarët e kësaj shoqate nuk lejohen të zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare pa u regjistruar pranë federatës përkatëse.
Ata pohuan se janë një shoqatë e njohur ndërkombëtarisht, e organizuar prej vitesh dhe pjesëmarrëse në gara kombëtare e ndërkombëtare në Ballkan dhe në vende të ndryshme të Europës. Sipas tyre, sportistët udhëtojnë rregullisht me makina e kafaze të pëllumbave drejt vendeve ku zhvillohen aktivitetet dhe më pas rikthehen normalisht në Shqipëri.




Anëtarët e shoqatës thanë se disa javë më parë janë përballur me probleme edhe në kufirin me Kroacinë, ku u është bllokuar kalimi për shkak të kësaj situate administrative.





Ata theksuan se shoqata e tyre renditet mes më të mirave në botë për rezultatet sportive, ndërsa kundërshtojnë detyrimin për t’u regjistruar pranë federatës, duke argumentuar se funksionojnë si organizatë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht.
Një prej anëtarëve deklaroi se gjatë ditës së sotme do të nisen drejt një gare ndërkombëtare me kamionët dhe pajisjet sportive, por paralajmëroi se nëse pengohen sërish në doganë, situata mund të përshkallëzohet.
Nga ana tjetër, drejtues të shoqatës ku ushtrohet ky lloj sporti u shprehën se nuk mund të presin pafundësisht pezullimin e aktiviteteve, pasi kjo dëmton sportistët dhe aktivitetin e tyre ndërkombëtar. Shoqata ka 5200 pëllumba gare ku vetëm nga qarku Fier ka 73 anëtarë nga 170 që janë të gjithë si shoqatë./ALB365









