
Patos – Në ambientet e klinikës për trajtimin e djegieve, të ngritur nga mjeku popullor Rexhep Toska në zonën e Zharrëzës, është zhvilluar promovimi i librit “Djegjet dhe shërimi i tyre” të autores Elmira Rama.
Libri bazohet në përvojën mbi 40-vjeçare të mjekut popullor Rexhep Toska në trajtimin e plagëve nga djegiet, duke sjellë për lexuesin recetat tradicionale dhe metodat e përdorura prej tij ndër vite. Autorja, e cila është banore e zonës trajton në libër ndërthurjen mes mjekësisë popullore dhe trajtimeve moderne, duke evidentuar përvojën e trashëguar brez pas brezi në familjen e Toskës.



Sipas të dhënave të paraqitura në libër, Rexhep Toska e ka trashëguar këtë profesion nga nëna e tij, e cila gjithashtu e kishte marrë nga paraardhësit e saj. Tashmë kjo traditë po vijon edhe tek fëmijët e tij, të cilët kanë studiuar për infermieri dhe kanë punuar për vite në Gjermani, duke sjellë një kombinim të praktikave popullore me njohuritë bashkëkohore të mjekësisë.


Gjatë promovimit, vetë mjeku popullor Rexhep Toska u shpreh se për më shumë se katër dekada ka qenë në shërbim jo vetëm të komunitetit të zonës, por edhe të pacientëve që kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Gjermania dhe Zvicra.
Në aktivitet morën pjesë edhe pacientë të shumtë të cilët kanë marrë trajtim pranë klinikës së tij. Ata ndanë përvojat personale dhe falënderuan mjekun popullor për ndihmën e dhënë ndër vite, duke e konsideruar fat për zonën e Zharrëzës praninë e një personi të përkushtuar në trajtimin e plagëve nga djegiet.


Të pranishmit patën mundësi të vizitonin edhe ambientet e reja të klinikës, të ndërtuara me kontributet personale të familjes Toska, i cili vijon aktivitetin e tij si mjek popullor për trajtimin e djegieve në zonën e Zharrëzës, në bashkinë Patos.ALB365









