OP/ AN

Edi Rama bie më lehtë se Viktor Orbani

Nga Sebastian Zonja

Në zgjedhjet e kësaj të diele hungarezët rrëzuan nga pushteti njërin prej politikanëve më të artikuluar dhe strategjist në Evropën lindore. Viktor Orban, ish-kryeministri i Hungarisë, është shembulli i një politikani që bën çdo gjë për të rritur prestigjin e vendit të vet. Patriot dhe i qartë se aleanca me amerikanët është e pathyeshme në kuadër të sigurisë, u kthye në problemin e madh të Evropës sepse ndërtoi diplomaci shumëvektoriale me Rusinë dhe Kinën për përfitimet e vendit të vet. E ktheu Hungarinë në njërin prej vendeve të rëndësishme për energjinë e rinovueshme duke sjellë investime kineze. Koha do tregojë sa i qartë dhe i kthjelltë ishte në këtë sipërmarrje. Kompani të mëdha gjermane shkuan për të investuar në Hungari. Me anë të energjisë së lirë ruse, teknologjisë kineze dhe inxhinierëve gjermanë ai hodhi bazat për ndërtimin e një Kine të vockël në Evropë. Probleme të ndryshme ekonomike të cilat kanë të bëjnë me çmimet e larta, politikat e tij thuajse komuniste për çështjen e pensioneve, disa shtetëzime masive, kriza e pandemisë si dhe shkëputja e zinxhirëve globalë të furnizimit u kthyen në kokëçarjet më të mëdha të qeverisë. Çmimi i banesave, rrogat e ulëta, çmimet e larta të ushqimeve, pensione të ulëta, akuzat për korrupsion (shoku i tij i shkollës 8-vjecare, nga hidraulik bëri 2.5 miliard euro me tendera shtetëror kur Orbani erdhi në pushtet) sollën, pak nga pak, gërryerjen e pushtetit të stërmadh. Gjithë kandidatët e tjerë opozitarë kishin nga një yçkël që ua gjente me mediet e veta. Për shembull, kandidatja e shkuar u shpall familjarisht se ngacmonin seksualisht këdo u dilte përpara. Ajo ngacmonte vajza, i ati abuzonte me infermieret në spital. Shkatërrim total i figurës kur i dilje kundër Orbanit. Kontroll total i medieve. Disa gazetarë të mirë opozitarë që kishin mbetur punonin online, sepse mediet e mëdha nuk i merrnin në punë.

Ndërkohë, Peter Magjari, një djalë që kishte punuar me Orbanin për vite të tëra, i doli kundër. Djalosh i thjeshtë. Me një parim të vetëm bëri thuajse gjithë fushatën – po mori Orbani edhe një mandat tjetër, s’do e heqim dot më. I ka kapur të gjitha. Do na bëhet si Putini. Sot ka rritje ekonomike, por po të mos ketë nesër, s’kemi asnjë mundësi ta heqim. Do bëhemi si Moska që bën zgjedhje sa për sy e faqe.
Shkoi derë më derë dhe tha gjënë më të thjeshtë në botë: unë jam konservator, ai është neoashist. Unë di të të them se i majtë a i djathtë qofsh, parimi konservator është se përgjegjësia për veprimet që ndërmerr qëndron në themel të të qenit qytetar, fermer, punëtor, hidraulik apo violinist. Përgjegjësia si burrë, si kryefamiljar, si vëlla, si grua, si nënë … është konservatorizmi. Ky tjetri, Orbani, ka ngatërruar fenë, Zotin, historinë, armiq të jashtëm e të brendshëm, njerëz me mjekra nga Lindja, njerëz me identitete seksuale të çuditshme nga Perëndimi, vetëm e vetëm që të furnizojë makinerinë e propagandës.

Qytetarët dolën dhe i dhanë votën opozitarit. Ata e dinë sa e vështirë është që gjërat të ndryshojnë shpejt, por kanë në dorë një çelës që mund ta ndryshojnë pushtetin kur nuk iu volit. Evropa i ndihmoi, ndërsa Amerika do jetë aleat me ta, si me Orbanin, si pa Orbanin, sepse hungarezët kanë aleatë vetëm amerikanët. Ata kanë frikë se sa të ndajë mendjen Gjermania, Franca dhe Britania për t’i mbrojtur, Moska i ka shkelur me këmbë, siç bëri në vitet ’50.

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama nuk ka mprehtësinë dhe mendjen strategjike të Viktor Orbanit. Nuk kemi këtu fabrika gjermane apo kineze. Kemi kulla me para të pista. Kaq vizion ka ky. Rama s’ka bërë as një të njëqindën për vendin e vet sa ç’ka bërë ai për Hungarinë. Emigracioni i të rinjve hungarez është njëra prej plagëve të shoqërisë, të cilën Orbani mundohej ta kuronte. Ndërkohë, sistemi ekonomik i Edi Ramës do e boshatis Shqipërinë në 20 vjet dhe ne ja hedhim fajin të gjithëve nga pak. Hungarezët na treguan një gjë – sistemin që s’po funksionon më e ndërtoi ky zotëria, Orbani. Fajtori është ky. Sa më shumë ta stërhollosh, aq më shumë shkon faji te sulltani osman që pushtoi Hungarinë shekuj më parë. Orbani do ik nga pushteti ndërsa çakejtë e vet do i çojmë në burg, thanë hungarezët e zgjuar. Ndërkaq, në Tiranë, agjitatorët dhe propagandistët merren akoma me fajet e osmanëve, Ahmet Zogut dhe Sali Berishës që rri në opozitë prej 13 vjetësh. Sërish, edhe pse Edi Rama ka pushtet më të dobët se Orbani, ka shumë më pak arritje se ai, më pak njohje diplomatike, është më i izoluar ndërkombëtarisht dhe me një linjë opozitare më të fortë se ajo në Hungari, fiton. Mund të gjejmë një mijë e një arsye, por njëra duket se mbizotëron (bashkë me problemet që bart opozita jonë): fatkeqësisht, ne nuk e duam demokracinë. Nuk e njohim atë. Regjimet rrëzohen me votë, por ne e shesim atë, e blejmë, e manipulojmë brenda partisë, në zgjedhje të përgjithshme, në zgjedhje vendore

… Gjyshërit tanë nuk kanë jetuar në demokraci. Prindërit tanë jo. As ne nuk jetojmë në demokraci. Kemi pluralizëm, por nuk jetojmë në demokraci. Nuk e njohim demokracinë. Nuk e duam atë. Ne nuk e duam, ata që na drejtojnë nuk e duan, gjysma nuk e di çfarë është, pluralizmi ngatërrohet me demokracinë, shteti me pushtetin, institucioni me dyqanin e babës, partitë nuk janë demokratike, garë nuk ka në asnjë instancë partiake, karriera institucionale bëhet me mik jo me meritë, por flasim gjithë ditën për vlerat e mëdha demokratike dhe se si do futemi në Evropë. Hungarezët treguan se janë demokratë. Regjimet bien me votë masive. Demokracia është betejë e përditshme e çdo qytetari të përgjegjshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button