Fusha e bllokuar sepse i ka dal pronari/ Fëmijët në rrezik”. Nxënësit në Grecalli zhvillojnë fizkulturën në oborr, jo në terren sportivë.

Fier – Prej afro pesë vitesh, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Tanas Ikonomi” në fshatin Grecali bashkia Fier nuk e zhvillojnë lëndën e fizikulturës në fushën e futbollit të shkollës, por në oborrin e saj. Shkak është bërë bllokimi i fushës, e cila sipas banorëve dhe prindërve, është rrethuar nga një person që pretendon pronësinë mbi të.
Sipas dëshmive, fusha është rrethuar, janë vendosur objekte portative dhe një roje që nuk lejon as nxënësit të zhvillojnë orët mësimore, por as fëmijët e fshatit të luajnë në kohën e lirë.
Prindër dhe banorë te fshatit shprehen se e kanë ngritur këtë shqetësim disa herë, si pranë shkollës ashtu edhe institucioneve përkatëse, por deri më tani nuk është marrë asnjë zgjidhje konkrete.






Ata theksojnë se situata ka penalizuar drejtpërdrejt fëmijët.
Edhe vetë nxënësit tregojnë se janë të detyruar ta zhvillojnë fizikulturën në kushte të papërshtatshme, në oborrin e shkollës, mes barishteve të rritura, ku sipas tyre kanë hasur edhe zvarranikë. Për më tepër, ata shprehen se disa herë janë larguar me tone të ashpra nga roja kur janë afruar pranë fushës.
Në mungesë të një terreni sportiv, fëmijët kalojnë kohën e lirë duke luajtur pranë argjinaturës së lumit Seman ose në rrugët e fshatit, duke u përballur çdo ditë me rrezikun e automjeteve.
Ndërkohë, trupa pedagogjike e shkollës nuk ka pranuar të prononcohet për këtë çështje nga frika e humbjes së vëndit të punës









Të vendosur përballë kësaj situate, prindërit, nxënësit dhe banorët e zonës kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Ata kërkojnë rikthimin e fushës së futbollit në funksion të shkollës, në mënyrë që ora e fizikulturës të zhvillohet në kushte normale dhe fëmijët të kenë një hapësirë të sigurt për të luajtur.
Shkolla 9 vjeçare “Thanas Ikonomi” ka patur 450 nxënës nga 110 që ka altualisht. Në këtë shkollë vijnë fëmijët e katër fshatrave Mujalli, Daullas, Grecalli dhe Muçaj./ALB365









