AKTUALITET

Trualle, apartamente dhe aksione të disa shoqërive/ Prokuroria e Fierit kërkon konfiskimin e pasurive të një personi të dënuar për drogë

Prokuroria e Fierit ka kërkuar konfiskimin e disa pasurive të një personi me inicialet A.H, të dënuar për drogë në Itali, dhe personave të lidhur me të.

Më konkretisht, Prokuroria kërkon të konfiskohen 5 apartamente në Fier, Tiranë dhe Vlorë, 2 njësi shërbimi, mbi 16 mijë metra katrorë arë dhe kuotat e 5 shoqërive të shtetasit A.H. dhe personave të tjerë të lidhur me të, pasi rezultoi se janë krijuar si pasojë e veprimtarive të dyshuara kriminale.

Sipas organit të akuzës, në themel të këtij aktiviteti ekonomik qëndron një shumë prej rreth 100 milionë lekësh, e deklaruar si financim i një shoqërie, por që nuk justifikohet me burime të ligjshme. Kjo shumë dyshohet se është përdorur për krijimin dhe zhvillimin e disa kompanive të tjera, duke ndërtuar një cikël ekonomik të bazuar mbi një burim fillestar të paligjshëm.

NJOFTIMI I PLOTE I PROKURORISE:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimin pasuror dhe kërkon konfiskimin e 5 apartamenteve, 2 njësi shërbimi, 16.719 m2 tokë arë dhe kuotat e 5 shoqërive të shtetasit A.H. dhe personave të tjerë të lidhur me të, pasi rezultoi se janë krijuar si pasojë e veprimtarive të dyshuara kriminale

Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.1, datë 01.07.2025, me objekt hetimi pasuritë në pronësi të shtetasve A.H, M.H, A.H, A.H dhe K.H, si dhe 5 shoqëritë tregtare në pronësi të tyre, Prokuroria pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier arriti të dokumentojë pasuri të pajustifikuara nga burimet e ligjshme.

Nga hetimi rezulton se ortaku i vetëm i shoqërisë “A…” sh.p.k., shtetasi A.H., ka deklaruar financimin e shoqërisë me një vlerë prej 100,072,890 Lek, e cila nuk justifikohet me burime të ligjshme financimi. Nëpërmjet kësaj shoqërie, u krijuan edhe shoqëritë e tjera të shpërndara midis anëtarëve të familjes.

Po ashtu rezultoi se janë kryer veprime fiktive me qëllim justifikimin e kësaj shume monetare, të cilat nuk mbështeteshin në mundësinë reale financiare për marrjen e kësaj shume nga burime të ligjshme. Përkundrazi, evidentohet se shumica e veprimeve janë kryer jashtë sistemit bankar, në “cash” dhe nëpërmjet akteve jo noteriale, me qëllim shmangien e origjinës së ligjshme të fondeve të investuara në shoqëri.

Shuma 100,072,890 Lek, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe të deklaruara, ka shërbyer si bazë për zhvillimin e aktivitetit ekonomik të shoqërive në vijim, duke u reflektuar në pasqyrat financiare si burim i ligjshëm dhe më pas duke u përdorur për investime të ndryshme, përfshirë blerjen e automjeteve dhe krijimin e të ardhurave që janë shpërndarë në formë page dhe dividendi. Më tej, këto të ardhura janë rinvestuar në pasuri të paluajtshme dhe kuota shoqërish, duke krijuar një cikël ekonomik që mbështetet në një burim fillestar të pajustifikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button