OP/ AN

Ku do me dalë Elisa?

Nga Arion Sulo

Elisa Spiropali në fundjavë shkroi se qeverisja është kthyer në një model ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni.

Po ashtu ditë më parë, bënte një skaner të shpejtë, por mjaft acid për PS-në, si një parti që ka ndërtuar një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe heshtja e përshtatja shpërblehen, ndërsa meritokracia është thjesht një fjalë.

Pjesa më e fortë e qëndrimit të fundit të marsit kishte të bënte me faktin se në maxhorancën e sotme ndihet frikë për të folur, frikë nga pasojat për karrierën politike, por edhe më gjerë, te familjarët, bizneset apo punët e tyre.

Javën që shkoi, një gjë e tillë ndodhi me vetë ish-kryetaren e Kuvendit. Tatimorët u urdhëruan të kontrollonin bizneset e bashkëshortit të saj për shkak të sjelljes politike të Spiropalit. Bastisja e biznesit të burrit është një detaj i rëndësishëm për të treguar dhe kuptuar reagimin e qeverisë ndaj kritikave të saj, por mbi të gjitha për të kuptuar sesa seriozisht e ka Elisa rrugën që ka nisur.

Deri tani, ajo ka thënë se nuk do të heshtë, edhe pse e kanë këshilluar ta bëjë këtë, edhe pse është e ndërgjegjshme se testet e vërteta, me më shumë pasoja për këto qëndrime parimore, janë ende duke ardhur. Deri tani ka thënë se do të bëjë të kundërtën, dhe nuk është se ka thënë pak.

Për shumëkënd që ka kohë që denoncon këtë qeverisje, fenomenet që Elisa përmend nuk janë zbulim, por të thëna nga një socialiste që deri dje ishte ministre e Jashtme dhe kryetare e Kuvendit, ato marrin vlerë.

Nuk është pak që në PS, nëntë vite pas Ben Blushit, i cili ishte i fundit që artikulonte alternativë politike ndaj asaj që kishte nisur të ekzekutonte Rama, dikush guxon të denoncojë degradimin e kësaj partie dhe kësaj qeverie.

Nuk është pak, po të kemi parasysh se PS i ngjan sot një reparti ushtarak, ku të gjithë ngritën dorën për të rrëzuar kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun, duke dalë kundër narrativës për mbështetjen e drejtësisë dhe duke marrë koston e përplasjes së parë reale me BE-në që nga ardhja në pushtet.

Spiropali, edhe pse me vonesë, e ka bërë këtë. Por, përtej kësaj dobie jo të vogël për kushtet ku ndodhemi, pyetja që shtrohet është se ku do të dalë Elisa me këto denoncime të forta?

A është kjo një betejë personale me Belinda Ballukun dhe po kërkon të rimarrë pozicionet e humbura? Nëse Rama e shmang Ballukun, a do të qetësohej Spiropali? A po kërkon në mënyrë parimore vendosjen e disa rregullave që janë shkelur dhe kaq? Apo është e qartë se rruga që ka nisur do ta çojë në mënyrë të pashmangshme në përballje me Ramën?

Znj. Spiropali ka të drejtën të vendosë se çfarë do të bëjë me karrierën e vet, por nga skaneri që ajo i ka bërë PS-së dhe qeverisë është e qartë se vetëm Edi Rama është përgjegjës për nivelin e demokracisë, meritokracisë, arrogancës, heshtjes, frikës apo edhe paligjshmërisë në parti dhe qeveri.

Spiropali e di mirë se urdhri për kontrollet në bizneset e burrit të saj mund të jetë dhënë nga Belinda Balluku, por jo pa lejen e kryeministrit, siç di po aq mirë se ishte Rama ai që e shkarkoi nga posti i ministres së Jashtme.

Spiropali e ka të qartë se pas mungesës në votimin për imunitetin e Ballukut shkaktoi hakmarrjen e kësaj të fundit, por ama ishte Rama që kërkoi që asnjë votë e grupit të PS të mos ishte kundër Ballukut dhe ishte po Rama që e largoi nga drejtimi i qarkut të Tiranës, duke e deleguar në Njësinë 2.

Ndaj, më shumë se denoncimet, aftësia personale apo epërsia morale, në situatën e krijuar rëndësi ka që Elisa ta ketë të qartë se betejën e ka me Edi Ramën dhe, akoma më shumë, rëndësi ka që ta ketë të mbledhur mendjen se do ta bëjë këtë betejë.

Nëse nuk e bën do të mbetej thjesht një inat personal apo rivalitet femëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button